
Rudina Hajdari, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, të ngritur për reformën zgjedhore, tha se PD dhe LSI duhet të kthehet në tryezë, pasi këtë zotim e ka bërë edhe ndaj Aleancës për Teatrin.
“Nëse PD e ka seriozisht që do të mbështesë Aleancën për Teatrin, duhet të vijë në tryezë, t’i shkojë deri në fund marrëveshjes së 25 korrikut, ku thotë se angazhohet plotësisht për reformimin e sistemit zgjedhor. Teatri u shemb, PD-ja le ta çojë një premtim deri në fund. Të vijë në tryezë dhe të luftojmë bashkë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Të mos rrimë kot nëpër sheshe. Patjetër që e mbështes protestën, por ne duhet t’i çojmë gjërat deri në fund”, tha Hajdari.
Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, i bëri gjithashtu thirrje opozitës jashtëparlamentare të rikthehet.
“Është në interesin e të gjitha palëve që procesi i reformës zgjedhore të përfundojë brenda majit. Tani nuk shosh arsye serioze për t’u ndërprerë. Shpresoj që të rikthehen. Mirëpres opozitën të ulet menjëherë në tavolinë”, tha Gjiknuri.
Pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar të dielën, opozita jashtëparlamentare deklaroi se nuk do të merrte pjesë në mbledhjen e së hënës së Këshillit Politik. (A2 Televizion)