Ralf Gjoni: Lepuri fle te zgjedhjet, jo te Teatri Kombëtar!

Nga A2 CNN
18 Maj 2020, 14:26 | Politikë
Ralf Gjoni: Lepuri fle te zgjedhjet, jo te Teatri Kombëtar!

Në A2, deputeti Ralf Gjoni  e lidh shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në këtë kohë me reformën zgjedhore.

“Kam hezituar të bëhem pjesë e betejës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, pasi si politikan, më dukej se do të ndotja të gjithë kauzën që mendoja se i takonte shoqërisë civile, qytetarëve, artistëve. Ajo që ndodhi dje ishte shumë e shëmtuar. Kjo ndahet nga shumica e qytetarëve. Mënyra se si u bë shembja, arroganca me të cilën u krye shembja, ora, hipokrizia me të cilën u trajtua nga ato palë politike që bënë sikur u përfshinë në mbështetje të artistëve. E gjithë kjo ngjarje mban erë të keqe, era hipokrizi dhe era shëmti. Me thënë të drejtën, ajo godinë nuk ka qenë nga godinat e preferuara të Tiranës dhe nuk besoj se ka qenë e denjë për një teatër të mirëfilltë kombëtar. Unë kam qenë prej vitesh për një godinë multifunksionale, në qendër, por edhe jashtë qendrës së Tiranës. Jeta artistike i duhet Tiranës, por kjo godinë mund të ishte ruajtur për sa i përket rëndësisë historike, është një kujtesë e një periudhe shumë të vlefshme të historisë shqiptare. Mund ta kishim kthyer në një muze. Ajo që më ka irrituar sot është reagimi arrogant i kryeministrit Rama. Pra, në një moment ku ka kaq urrejtje nga qytetarët, pa kaluar 24 orë, bajraktari otoman mezi priti të postonte foto të reja”

Më tej, ai u shpreh se “lepuri fle” te zgjedhjet dhe jo të Teatri Kombëtar. “Jemi 1 vit para zgjedhjeve. Jemi në kulmin e negociatave për reformën zgjedhore. Lepuri fle te zgjedhjet, jo te teatri. Asnjë nga ata që shkoi dhe u ul dje në shesh, ka kaq muaj që çirret dhe bën sikur i djeg zemra për teatrin, jam i sigurt që përveçse janë analfabet, nuk kanë shkuar asnjëherë në teatër. Kryeministri Zgjodhi momentin më të paduhur ose më të duhurin për të politikisht, për të devijuar të gjithë vëmendjen e opinionit publik te teatri për të shmangur vëmendjen nga tema e reformës zgjedhore. Unë besoj se ka një dakordësi mes të tre partive politike, PS, PD dhe LSI. Jo vetëm që nuk e mbrojtën godinën e teatrit, por bëjnë sikur e mbrojnë vetëm e vetëm për të përfituar politikisht. Nga shembja e teatrit përfiton PS dhe PD, përfiton Edi Rama dhe Sali Berisha, nuk po merrem me Bashën se ai është dezhurn”, u shpreh Ralf Gjoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos