Berisha sulmon Ramën: Po demonizon Albin Kurtin, po e paraqet si komunist

Nga A2 CNN
13 Qershor 2023, 10:50 | Politikë
Berisha sulmon Ramën: Po demonizon Albin Kurtin, po e paraqet si komunist

Sali Berisha dënoi edhe njëherë ato që ai i quan si sulmet e kryeministrit Edi Rama drejtuar homologut të tij, Albin Kurti, në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Kosovë dhe përplasjes që ai ka pasur me partnerët.

Sipas ish-kryeministrit, Edi Rama zgjodhi 32-vjetorin e PS-së për të demonizuar figurën e Albin Kurtit, me urdhër të mikut të tij, Aleksandër Vuçiç.

“Miq, me sulmet e përditshme, madje paradite dhe pasdite, të Edi Ramës, argatit të Vuçiçit, kundër qeverisë së Kosovës, ai dëshmon se është në një hall të madh personal.

Me këto sulme, ai zbaton porositë e padronit të tij Vuçiç, për të demonizuar figurën e Albin Kurtit si komunist i pakorrigjueshëm dhe ka paraqitur presidentin e serbomadhisë Vuçiç si konstruktiv”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve e cilësoi veprimin e Ramës si një tentativë për të shmangur vëmendjen nga afera McGonigal, pasi prokurori i çështjes ka kërkuar bashkimin e dosjes shqiptare me atë ruse.

“Rama me këto veprime kërkon të ngjallë mëshirë për veten e tij për aferën e tmerrshme të korruptimit me ryshfet të ish-shefit të kundër inteligjencës së FBI-së për Nju-Jorkun, McGonigal gjatë kohës që ai ishte në detyrë.

Përveç kësaj, kjo çështje është bërë edhe më e rëndë sepse së fundmi prokurori i SHBA-së ka kërkuar bashkimin e dosjes shqiptare që gjykohej në Washington me dosjen ruse që gjykohet në Nju-Jork. Kjo do të thotë se aferat janë të lidhura njëra me tjetrën dhe përveç McGonigal, dy personazhe të tjera të zeza tani janë: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe përfaqësuesi i Putinit, Oleg Deripaska, biznesmen spiun rus me 6 kompani deri në fund të vitit 2022 edhe në Shqipëri”, përfundon Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos