
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Saimir Tahiri është liruar me urdhër të Edi Ramës. Për Berishën, Tahiri e ka kërcënuar Ramën se nëse do të dalë tani nga qelia, atëherë do të zbërthejë lidhjet e krimit që ka, sipas tij, Olsi Rama dhe kryeministri me bandat nga Meksika gjer në Afrikën e Jugut.
"Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthejë të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut.
Kështu që është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë ultimatum botërisht. I keni parasysh deklaratat e tij. Më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën, i cili tani është i ngërthyer në aferën McGonigal. Po bën lobimin më të fuqishëm, por nuk do të shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Soros dhe miqve të tij. Unë kam bindjen se drejtësia amerikane do i tregojë vendin këtij korruptori të McGonigal", tha Berisha.
Pas 1 viti e gjysmë në qeli, ish-ministri i Brendshëm, Samir Tahiri, u lirua nga burgu. Ai do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi. Vendimi është marrë ditën e sotme në gjykatën e Elbasanit, nga gjyqtarja Matilda Fetahu. Referuar burimeve të A2 CNN, Tahiri është liruar për shkak se bashkëshortja e tij është sëmurë dhe nuk mund të kujdeset për fëmijët, duke ia kaluar në kujdestari ish-ministrit. (A2 Televizion)