
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar lirimin para kohe të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si një “tallje e drejtësisë me drejtësinë”. Me anë të një reagimi zyrtar, Bardhi thotë se u vërtetua se drejtësia është me dy standarde, ky favorizon zyrtarët dhe dënon maksimalisht qytetarët.
“Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantoi paprekshmërinë e grupeve kriminale, thelloi bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore, mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.
Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re t'i jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.
Abuzuesit e pushtetit duhet të vuajnë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabartë me çdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, shkruan Bardhi.
Pas 1 viti e gjysmë në qeli, ish-ministri i Brendshëm, Samir Tahiri, u lirua nga burgu. Ai do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi. Vendimi është marrë ditën e sotme në gjykatën e Elbasanit nga gjyqtarja Matilda Fetahu. Referuar burimeve të A2 CNN, Tahiri është liruar për shkak se bashkëshortja e tij është sëmurë dhe nuk mund të kujdeset për fëmijët, duke ia kaluar në kujdestari ish-ministrit. (A2 Televizion)