
Degët e Partisë Demokratike në rrethe kanë vijuar me publikimin e emrave të delegatëve që kanë dhënë firmën e tyre pro mbledhjes së Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor. Këtë të shtunë emrat i bënë publik degët e Shkodrës dhe të Fierit, të cilat deklaruan se mbi 70% e delegatëve mbështesin Kuvendin e 11 dhjetorit.
Sali Berisha mban të dielën foltoren e fundit para Kuvendit Kombëtar që ka thirrur përmes firmave të 4200 delegatëve. E ndërkohë që pritet të mbahet foltorja me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, degët e demokratëve vijuan edhe të shtunën me publikimin e emrave të delegatëve që kanë firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit. Në selinë blu ishin në mesditë përfaqësues të degëve të Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe dhe të Vaut të Dejës. Vetëm nga Shkodra kanë firmosur 70% e delegatëve.
88.6% e delegatëve të Fierit i janë përgjigjur thirrjes së liderit historik për Kuvend kombëtar, deklaroi deputeti Luan Baçi.
Publikimi i emrave të delegateve me dakordësinë e tyre nisi pas shpalljes së Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor nga Lulzim Basha, përmes një vendimi kryesie. Ai deklaroi se Sali Berisha nuk i kishte firmat e delegatëve duke e quajtur nul depozitimin e tyre në zyrën e Edi Palokës, kryetar i Këshillit Kombëtar.
Përtej betejës parimore dhe proceduriale, ditët e fundit SalI Berisha ka ashpërsuar sulmin ndaj Lulzim Bashës për pastrim parash, duke rikthyer në vëmendje dosje si ajo e Toyota Yaris, apo e Nik Muzin në kuadër të akuzave për lobimin ne Amerike me para përmes kompanive ruse ofshore. (A2 Televizion)