
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zbuloi disa detaje nga takimi që pati këtë të mërkurë me Ilir Metën.
“Sot, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD z. Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Dr. Petrit Vasili. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi”, shkruan Berisha në Facebook.
Takimi vjen 2 javë para mbajtjes së protestës së paralajmëruar prej tyre më 6 dhjetor, ditë që përkon me mbajtjen në Tiranë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, si edhe para votimeve të primareve për kandidatët e opozitës në zgjedhjet lokale.
Kjo është kritikuar jo pak nga mazhoranca, që e kanë cilësuar mbajtjen e protestës në këtë datë si “turp” dhe një veprim kundër BE-së. Por sipas Berishës, protesta nuk zhvillohet kundër BE-së, por kundër qeverisjes së Edi Ramës. Berisha ka deklaruar se protesta do të jetë për t’i treguar Evropës se kjo qeveri është e korruptuar.
Në fokus, përveç aksionit opozitar janë edhe zgjedhjet e 14 majit. Partia Demokratike aktualisht është duke zhvilluar procesin e primareve për të zgjedhur kandidatet për kryetar bashkie, proces i cili mbështetet edhe nga Partia e Lirisë. (A2 Televizion)