
Një nga anëtarët historikë të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, ka komentuar nga Korça dinamikat e ditëve të fundit në partinë më të madhe opozitare, duke filluar nga fushata zgjedhore e brendshme për kreun e partisë.
“Unë jam si ju në këtë proces, e shoh vetëm nga jashtë. Janë caktuar disa kritere nga kryesia e Partisë Demokratike. Unë nuk jam në gjendje të vlerësoj kriteret nëse ishin të drejta apo jo”, deklaroi ai, i bindur se koha nuk është e mjaftueshme për të shpalosur programin e secilit.
“Koha e shkurtër në perceptimin tim nuk do i lejojë atyre të shfaqin alternativat e vërteta. Të mos bëjnë atë që "i zoti e jep e tellalli s'e jep". Unë në këtë rast jam tellalli , ata që janë në garë janë vlerësuesit e vërtetë të mundësive”.
Mustafaj nuk preferoi të komentonte çështjen e hapur nga departamenti i shtetit amerikan me shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke u limituar të thotë se “është në një proces gjyqësor, të shohim çfarë do të ndodhë”. (A2 Televizion)