Beteja për Lezhën, kush do të triumfojë

Nga A2 CNN
6 Maj 2023, 21:01 | Politikë

Qarku i Lezhës, me një sipërfaqe prej 1619 kilometra katrorë ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë. Ai kufizohet në veri me Shkodrën, në verilindje me Kukësin, në lindje me Dibrën, në jug me Durrësin dhe në perëndim laget nga deti Adriatik. Pas ndarjes së re territoriale, qarku ka në administrim tri bashki, Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, si dhe 21 njësi administrative. Larmia e relievit dhe klimës krijojnë kushte të favorshme për gjallesën e një shumëllojshmërie të florës dhe faunën tokësore dhe ujore, të egra dhe të buta.

https://youtu.be/v_n2apRN0xs

Të gjithë këto pasuri natyrore i japin mundësi kësaj zone të jetë një atraksion turistik, por pavarësisht mundësive të shumta, Lezha është qarku me shkallën më të lartë të papunësisë në rang vendi.

Bashkia kryesore, ajo e Lezhës, vetëm 55 kilometra larg nga kryeqyteti. Me një pasuri ujore, me lumin e Drini, i cili kalon nëpër qytet dhe derdhet në Adriatik. Bregdet, i cili i ka mundësuar një vijë bregdetare dhe të ardhur me turizmin në Shëngjin, zona e mbrojtur Kune-Vain, e vendosur në dy anë të grykëderdhjes së Drinit, është një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta.

Gjergj Fishta shkruante për Lezhën: Qielli kaltër, toka e blerë, Njeti dimën, këtu pranverë”. Një natyrë dhe histori, me kalanë e qytetit të vjetër Lisus, që ngrihet mbi qytetin aktual, kanë frymëzuar edhe bijtë e kësaj zone. Por gjatë vizitës tonë në Kalanë e Lezhës, ajo na priti e vetmuar për ditën me diell, që më pas të vetmit që kishin menduar t’i bënin një vizitë ishte një çift nga Kosova, që jetonin në Zvicër.

Vendvarrimi i Skënderbeut, i ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është një pikë turistike joshëse për turistët e huaj. Historia e heroit tonë kombëtar, nga mbajtja e Kuvendit të Lezhës në vitin 1444 deri te vdekja e tij, ka joshur këtë qytetarë dhe familjen e tij nga Arizona me familjen e tij. “Unë vij nga Arizona. Unë e kam gruan nga Shqipëria, por këtë radhë solla familjen time nga Arizona. Ne ishim në Shkodër dhe djemtë na sugjeruan që të vinim në Lezhë për të parë memorialin e heroit tuaj kombëtar. Duhet të them që kjo është hera e parë, kam qenë më herë, por vetëm për 5-10 minuta. Ky është ndalimi i parë . Nuk e kam parë ende të gjithën, por vendi juaj është shumë i bukur”, thotë ai.

Ndërsa turistët shkojnë e vijnë, banorët e kësaj bashkia kanë më shumë kërkesa nga politika që ata të kenë mundësi të jetojnë çdo ditë në qytetin e tyre.

Lezha, vendlindja e At Zef Pllumit, klerikut me kontribute të çmuara, sot është kthyer në një qëllim elektoral për politikën. Të majtët e Partisë Socialistët synojnë të mos lëshojnë Bashkinë e Lezhës të fituar në 2019 me ish-deputetin Pjerin Ndreun, emër që në vendoret e 14 majit duan ta rikonfirmojnë. Ndërsa koalicioni opozitar i dyshes Berisha-Meta duan ta rikthejnë Lezhën nën administrimin e demokratëve me kandidatin e Pashk Gjonit. Ndërsa mazhoranca dhe opozita kërkojnë pushtet, qytetarët duan në karrigen e kryetarit të bashkisë të kenë politikanin më të mirë.

Treguesit social-ekonomikë të Qarkut të Lezhës – Buxheti, investimet dhe detyrimet e prapambetura

https://youtu.be/cCcO2fo2JzA

Ndreu shpalos projektet, ku përfshihet një stadium i ri në qytet

Kryebashkiaku aktual Pjerin Ndreu bëri një rezyme të arritjeve gjatë mandatit të parë dhe u ndalua te projekti i stadiumit të ri të qytetit, i cili mesa duket ka zënë vendin e parë në debatin publik me rivalët politikë. Ndreu u shpreh se stadiumi i ri do të zhvendoset, ndërsa në vendin ku qëndron ai i vjetri do t’i hapet rruga një projekti të ri shumë të munguar për qytetin.

“Do të ndërtojmë një park të madh me parking. Një histori që ka shqetësuar shumë palën tjetër. Do të ndërtojmë një stadium të ri. Iu them qytetarëve të mos gënjehen. Stadiumi i ri do të spostohet në një vend tjetër. Kemi rënë dakord me FSHF dhe qeverinë shqiptare. Do ndërtojmë fushën stërvitore, fusha tenisi, volejbolli. Stadiumi “Besëlidhja” nuk do të jetë aty, por do të ketë një tjetër më të mirë. Aty do të bëhen dy kate parking dhe do ketë një park rekreativ. Projekti i ri i stadiumit do të ketë 5000 vende” tha kandidati socialist.

Një ndër arritjet e tij më të mëdha, Ndreu konsideroi dhe reformën strukturore të kryer në bashkinë e Lezhës, e cila sipas tij ishte e mbushur me punësime politike dhe që kishin çuar borxhin e këtij institucioni në nivele tepër të larta.

“Ne gjetëm shumë problematika përballë një prej tyre ishte dhe numri i madh i të punësuarve. Shumë nuk vinin në punë dhe merrnin rrogën. Borxhi ishte i lartë. Territori ishte i mbushur me papastërti, sidomos në zonat turistike. Bëmë një reformë strukturore dhe rikthyem njerëzit në punë. Morëm në kontroll borxhin dhe shpenzimet, të cilat i reduktuam”, u shpreh Ndreu.

Në lidhje me rivalin demokrat, kryebashkiaku në detyrë, Ndreu tha se nuk ka asnjë koment negativ, teksa shtoi se ka hyrë në garë me paragjykimin se Lezha është e djathtë dhe pa një program të qartë.

https://youtu.be/wUPWVBLvQuM

Gjoni: Pjerin Ndreun s’e lidh asgjë me Lezhën! Stadiumi i “Besëlidhjes” të mos shembet

Pashk Gjoni, kandidat i Koalicioni “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë e Lezhës është i bindur për një fitore në 14 maj. I ftuar në “Debat” në A2 CNN, Gjoni është shprehur se do të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve lezhjanë, duke theksuar se do të japë të njëjtin kontribut siç ka dhënë me punën si mjek. Gjoni thotë se në ndryshim nga kundërshtari i tij, Pjerin Ndreu, ai ka një lidhje të fortë me këtë qytet.

“Ndreun nuk e lidh asgjë me Lezhën. Nuk ka asnjë lidhje me Lezhën, ai jeton në Tiranë, aty do jetojë edhe pas 15 majit. Pjerin Ndreu i ka bërë hesapet gabim, se nuk do jetë kryebashkiak i Lezhës, nuk është Lezha për fasade”, u shpreh kandidati.

Gjoni ka dalë edhe kundër projektit për shembjen e stadiumit të “Besëlidhjes”.  “Nuk jam ekspert që t’i bëj programet 3D, kanë betonizuar aneksin e sportit. Lezhjanët nuk kanë një aneks ku bëjnë stërvitje. Jam më tifoz se ai, ju garantoj, kam parë më shumë ndeshje se ai te “Beslidhja”.  Ndërto stadium më të bukur diku tjetër pastaj hajde prisheni këtë këtu. Po jo të prishësh pa e ndërtuar një tjetër”, deklaroi Gjoni.

Sipas kandidatit demokrat, Lezha ende nuk ka një zgjidhje për problemin kryesor që përballet çdo vit, siç janë përmbytjet, por thotë se socialistët kanë bërë vetëm propagandë. “Kur dëgjoj propagandë, ky është një problem i madh, me 20 minuta shi, Lezha është nën ujë”, deklaroi Gjoni.

https://youtu.be/EzhezQsjecU

Betejat në bashkitë e tjera të qarkut

Edhe në dy bashkitë e tjera, gara është e fortë mes socialistëve dhe demokratëve, në Kurbin, PS do të mbajë me çdo kusht këtë bashki, edhe me investimet e qeverisë turke të Erdogan, duke rikonfirmuar kryebashkiaken e 2019, Majlinda Cara. Për këtë bashki, Berisha ka vendosur Behar Haxhiun, si kandidatin që mund t’ua kthejë demokratëve qytetin.

Mirdita, si një bashki me tendencë e votës së majtë, Edi Rama i ka besuar për të tretën herë radhazi Ndrec Dedajt, ndërsa koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”, në 14 maji, garon me Albert Melyshin.       (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos