Beteja për naftën

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 11:55 | Sociale
Beteja për naftën

Njoftimi se Rafineria nuk do të punojë, deri në një moment të dytë, nxori në rrugë rreth 720 naftëtarë, tetorin e vitit 2019. Kërkesa e tyre e parë ishte shlyerja e pagesës mujore, për sa kohë punëtorët nuk kishin tërhequr librezat e punës dhe rezultonin aktiv në këtë Uzinë. Mirëpo, ky premtim i kompanisë private nuk u mbajt, duke i detyruar naftëtarët ta kërkojnë të drejtën e tyre me forma të tjera.

Të njëjtën revoltë kishin nisur disa ditë më parë edhe punonjësit e nënstacionit të Poçemit, të cilët kishin po të njëjtin problem me pagat. Premtimi se do të rikthehet kompania mëmë dhe puna do të rinisë së shpejti, bëri që në fund të muajt shkurt naftëtarët të braktisnin grevën.

Në këto kushte, naftëtarët iu drejtuan sërish Qendrës Shëndetësore, aty ku kishin mbajtur më herët grevën e parë të urisë. Pjesë e grevës ishte edhe naftëtari Taulant Zotaj. Ai kishte pak vite që ishte rikthyer nga Greqia dhe u përball me një tjetër vështirësi në jetën e tij.

Hyrja në Rafineri ishte një tjetër tentativë presioni nga ana e naftëtarëve, për të treguar se pronarët e kësaj Uzine e kishin braktisur atë. Përballë mosreagimit të kompanisë, por edhe të institucioneve shtetërore, peshën e grevës do ta pasonin gratë naftëtare. Hëna Baraj ishte një prej naftëtareve që zëvendësoi kolegët e saj. Për afro 18 ditë, ajo qëndroi në grevë pasi gjatë kësaj kohe mungesa e sigurimeve i kishte mohuar pensionin e parakohshëm.

Mbrëmja e 13 nëntorit u pa si sinjali i parë pozitiv i kalvarit të gjatë të naftëtarëve. Nga takimi me kryeministrin u arrit një marrëveshje për një pagë mujore prej 400 mijë lekësh të vjetra, deri në momentin e rinisjes së punës në Rafineri. Por, pa marrëveshje ishin pagat e prapambetura, të cilat nuk i marrin në shqyrtim as strukturat e reja të drejtësisë.

Por, ndryshe nga naftëtarët, për punonjësit e nënstacionit të Poçemit nuk rezultoi i njëjti fat. Arbeni, Bastriu dhe Sajmiri ishin tre nga grevistët që kërkuan pagat. Ata u shkarkuan nga puna, ndonëse nënstacioni është ende në punë. Me nga 27 paga të pamarra, gjendja ekonomike e familjes së tyre është rënduar edhe më tepër, pas largimit nga puna.

Uzina e Ballshit varet në mënyrë të drejtpërdrejt nga nënstacioni i Poçemit, uji i të cilit bën të mundur shuarjen e nxehtësisë së metaleve gjatë punës. Ky nënstacion nuk është mirëmbajtur pasi tubacionet e tij kanë dëmtuar tokat dhe shtëpitë e banorëve të zonës. E njëjta mungesë mirëmbajtje është edhe në zonën e Ballshit. Nafta ka shkaktuar ndotje ndërsa një industri e tërë shërbimi ka mbetur jashtë funksionit.

Uzina e Ballshit po pret investitorin e radhës për t’u ndezur, ndërsa naftëtarët sytë i kanë ende nga pagat e prapambetura. Ata mund t’i gëzojë dhe vazhdimësia e punës si dhe një kontratë e qëndrueshme, gjë e cila ka munguar vitet e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos