Shqipëria vuan, por merr 3 pikë ndaj Letonisë, Anglia “shkërmoq” Serbinë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 22:39 | Futboll

Shqipëria vuan, por merr 3 pikë ndaj Letonisë, Anglia

Kombëtarja shqiptare ka bërë detyrën duke marrë 3 pikët ndaj Letonisë me një fitore 1-0 në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026. Ky takim në Arenën Kombëtare u vulos nga një penallti e kthyer në gol nga Asllani në pjesën e parë, shkruan A2 CNN.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në pjesën e parë nga Kristjan Asllani, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë pasi topi i goditur nga Qazim Laçi preku dorën e mbrojtësit letonez Deniss Meļņiks.

Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë dhe patën disa raste të pastra me Laçin, Brojën dhe Manajn, por pa arritur të dyfishonin. Edhe Bajrami dhe kapiteni Gjimshiti ishin të pafat para portës, duke e lënë ndeshjen ende të hapur.

Në pjesën e dytë, skuadra e Sylvinhos vuajti presionin e miqve, që në minutat e fundit patën disa mundësi për barazim. Heroi i ndeshjes u bë Mario Mitaj, i cili shpëtoi kuqezinjtë me një pastrim heroik mbi vijën e portës. Portieri Strakosha u tregua gjithashtu i sigurt në daljet e tij, duke mbyllur ndeshjen pa pësuar gol.

Kjo ishte ndeshja e katërt radhazi pa humbje për Shqipërinë, që tashmë ngjitet në zonën e “play-off”-it të Grupit K, duke përfituar nga disfata e Serbisë në Beograd. Anglia shkëlqeu në transfertë, duke shkatërruar Serbinë me shifrat 0-5.

Tashmë për kuqezinjtë ëndrra e Botërorit kalon nga... Beogradi më 11 tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos