Norvegjia është shkëputur përkohësisht me gjashtë pikë në krye të grupit kualifikues për Botërorin 2026, pasi turpëroi Moldavinë me rezultatin e pabesueshëm 11-1 në “Ullevaal Stadion” të Oslos. Ylli i Manchester City-t, Erling Haaland, realizoi plot pesë gola, duke forcuar ndjeshëm pozitat e tij si golashënuesi më i mirë i eliminatoreve.
Takimi nisi furishëm dhe brenda 10 minutave Norvegjia shënoi dy herë. Fillimisht Felix Myhre përfitoi nga një asist i Haaland, e më pas vetë sulmuesi realizoi golin e tij të parë. Loja u kthye në një demonstrim force të vendasve, me Martin Ødegaard që shpërndante pasime fantastike. Haaland gjeti rrjetën edhe dy herë të tjera në pjesën e parë, ndërsa vetë Ødegaard shënoi golin e pestë pak para pushimit, shkruan A2 CNN.
Në pjesën e dytë, festës iu bashkua edhe Thelonious Aasgaard, i cili hyri nga stoli dhe arriti një “poker” të pabesueshëm me katër gola, përfshirë një penallti. Pavarësisht autogolit të Østigård që i prishi rekordin portierit Nyland, norvegjezët nuk ndalën. Haaland shënoi edhe dy herë të tjera, duke çuar në pesë totalin personal dhe në 45 ndeshje me kombëtaren ka plot 44 gola.
Moldavia pësoi humbjen e 10-të radhazi në transfertë në kualifikueset e Botërorit, ndërsa për Norvegjinë kjo fitore e jashtëzakonshme i afron me një kualifikim historik në finalet e para të Kupës së Botës në shekullin 21. (A2 Televizion)