
Prej çerek shekulli Vlora është e majtë dhe drejtohet nga socialistët. Neki Dredha, Niko Veizaj, 12 vjet Shpëtim Gjika dhe 8 vite Dritan Leli, janë kryebashkiakët që nga viti 1998. Ky i fundit u distancua dhe më pas u përjashtua nga Partia Socialiste që nga zgjedhjet parlamentare të 2021-shit kur nuk pranoi që të ishte në listën për deputet. Që në atë kohë Leli ka vijuar agjendën e tij si kryebashkiak dhe qeveria me agjendën e saj të investimeve në Vlorë.
Ky qytet ishte i vetmi ku Asambleja e Partisë Socialiste atje votoi mes dy emrash për kandidatin e 14 majit. Mes Fate Velajt dhe Ermal Dredhës fitoi ky i fundit. Ai la diplomacinë dhe u kthye në vendlindje për të garuar për 14 majin, 25 vite pasi babai i tij u zgjidh kryebashkiak i Vlorës. Në anën tjetër koalicioni “Bashkë Fitojmë” kandidon Hysni Sharrën. Pas Tiranës, Vlora është bashkia që ka pasur suportin më të madh të qeverisë Rama për investime, edhe për faktin se vetë Kryeministri ka qenë deputet i këtij qyteti.
Vlora, epiqendra e turizmit shqiptar dhe një nga polet e zhvillimit ekonomik të vendit, po hyn në zgjedhjet lokale të këtij viti me zhvillime ambicioze, sfida serioze dhe probleme që ende nuk u shihet zgjidhja. Ndonëse gara përqarkun shtrihet në shtatë bashki, është qendër-qarku, Bashkia e Vlorës, ajo që mban vëmendjen më të madhe. Që pas trazirave të vitit 1997, Vlora ka votuar ekskluzivisht Partinë Socialiste, ndërsa vetë Kryeministri Edi Rama ka qenë tri herë deputet i zonës.
Këtë herë, PS po garon një diplomat karriere, Ermal Dredhën, i cili mund të ecë në gjurmët e të atit, që më herët ka drejtuar Bashkinë e Vlorës.
Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” ka hyrë në garë me ekonomistin Hysni Sharra, i cili po ashtu ka një traditë familjare në politikë. Ndërsa Partia Demokratike zyrtare nuk ka kandidat për Vlorën.
Gjatë mandatit të fundit si edhe në hyrje të këtij mandati të ri të pushtetit lokal, Vlora ka marrë vëmendje të shtuar sa i takon investimeve dhe reformave. Përveç se një port strategjik, rëndësia që ka qarku në ekonominë e vendit është e dukshme dhe gjithmonë në rritje.
Turizmi, ekonomia dhe sfidat e Vlorës
Në vitin 2022, Vlorën e vizituan 1.6 milionë turistë krahasuar me 950 mijë në 2021-shin.Investimet në infrastrukturë transporti përfshijnë tunelin e Llogarasë dhe një sërë aksesh të reja rrugore. Ndërkaq është në zhvillim e sipër edhe Aeroporti i Vlorës pranë lagunës së Nartës, krahas projekteve të tjera siç është ai për portin e ri.
Paralelisht me këto zhvillime, Vlora po përballet me krizën e punëtorëve, sidomos gjatë sezonit turistik, si edhe me një rritje të fortë çmimeve të pasurive të paluajtshme –një sektor ky i karakterizuar nga ndërhyrjet e krimit dhe dorëheqjet në seri të drejtorëve të kadastrës.
Gjithashtu, në raporte ndërkombëtare, Vlora është përmendur pas Tiranës, si një nga zonat ku pastrohen dhe investohen para nga trafiku i drogës dhe lloje të tjera të krimit të organizuar. Ndërkaq, kandidatët për bashkinë, përveç vizionit të tyre në projekte të treja për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit dhe të rritjes së mirëqenies për qytetarët, duhet të jenë në gjendje të adresojnë edhe problemet, ato të trashëguara si edhe sfidat e reja.
Vlora e Ermal Dredhës, platforma e kandidatit të PS në 14 maj
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe shërbimi urban janë dy handikapët e mëdha që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme në qytetin e Vlorës. Kandidati socialist për bashkinë e qytetit bregdetar Ermal Dredha renditi në Debatin me Alba Alishanin, platformën elektorale dhe vizionin e tij me të cilin kërkon votën e vlonjatëve.
Duke folur për mangësitë e qytetit ai tha se synimi i tij është kthimi i Vlorës në perlën e Mesdheut. “Ka problematika, po ka mangësi në ritëm, shërbime, kemi rrugët e brendshme të lagjeve që janë problem ka lagje që duan rikualifikim apo furnizimi me ujë të pijshëm që nuk ka 24 orë. Është një projekt nga qeveria që është drejt fazës së përfundimit. Do të zgjidhë 70% të popullsisë së Vlorës. Do të gjejmë alternativa të tjera për të pasur ujë 24 orë, duam ta kthejmë në brand turistik në gjithë Mesdheun. Fokusi ky do të jetë për të vazhduar këtë projekt dhe shpresojmë ta mbyllim brenda mandatit, por nuk dua të jem i gënjeshtërt para vlonjatëve.
Pastrimi i qytetit mund të bëhet më mirë,. Është marrë një vendim nga Këshilli Aktual i bashksië duke lënë jahstë Orikumin dhe kjo krijon mundësi për 158 vende të reja pune po shohim nëse mund ta menaxhojmë vetë. Pastrimi do edhe sensibilizim i komunitetit që të pastrojmë derën e shtëpisë të mos hedhim plehra gjithandej., kjo filozofi duhet të hiqet. Duhet të jemi më të organizuar”.
Kandidati i “Bashkë Fitojmë”: PS e humb Vlorën, më 15 maj nuk do dijë ku të shkojë
Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharra, ka prezantuar në “Debat” platformën me të cilën synon që t’ia marrë shumicës socialiste qeverisjen shumëvjeçare të qytetit.
Në intervistën e dhënë për Alba Alishanin, zoti Sharra theksoi fillimisht se rivalët e tij politikë nuk kanë as vizion dhe as program, por shtoi se opozita ka përballë atë që kryeministri Rama e përshkruan si “bashkia Vlorë, bashkia Shqipëri.”
Kandidati i të djathtëve për zgjedhjet vendore të 14 majit theksoi se ai dhe kandidatët e tjerë të opozitës po përballen me një fushatë të pabarabartë. Për të mbështetur atë që deklaroi ai kujtoi se paratë që i takojnë PD-së, KQZ-ja ia ka dorëzuar Enkelejd Alibeajt, pasi atë pjesë të PD-së që drejton ai njohin institucionet dhe së dyti, Sharra akuzoi mazhorancën se po përdor administratën në këto zgjedhje.
Hysni Sharra përsëriti akuzat e bëra edhe nga kandidatë të tjerë të koalicionit opozitar se drejtorëve të PS u është bërë thirrje e po u kërkohet llogari për mënyrën sesi po e angazhojnë administratën në këto zgjedhje.
Ai theksoi se vlonjatët janë të lodhur nga premtimet e bëra nga PS në këto 26 vite. “Plus 10 vite të pushtetit qendror. Do të bëjmë një operacion sinqeriteti. Nuk ka zgjidhje të problemit të ujit të pijshëm pa u thënë njerëzve që ky është një problem i mbartur prej vitesh, por që keqpërdoret, paratë bëhen rrush e kumbulla. Do të hartojmë një master-plan për furnizimin me ujë të pijshëm,” shpjegoi Sharra.
I pyetur rreth ofertës së tij për qytetin bregdetar, ai theksoi se programi i tij fokusohet në 6 pika që do të shihen me prioritet, si turizmi, mjedisi dhe vënia para drejtësisë e atyre që janë përfshirë në afera korruptive.
Betjat në bashkitë e tjera të qarkut
Qarku i Vlorës përbëhet nga 7 bashki; Vlora, Saranda, Himara, Selenica, Delvina, Finiqi dhe Konispoli, dhe për drejtimin e këtyre qyteteve, në garë janë 17 kandidatë.
Në Sarandë gara do të jetë e ndarë mes katër emrave, pasi PS kërkon që të vijojë qeverisjen me një emër të ri, Oltion Çaçin. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkon votëbesimin me Ardit Çakulin, ndërsa PD propozon emrin e Skënder Muços. Në këtë bashki garon dhe Gjergj Mërkuri si kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit.
Himara, si e treta bashki me e rëndësishme e këtij qarku do të ndahet mes dy kandidatëve, të cilët i përkasin minoritetit grek. Jorgo Goro nga Partia Socialiste kërkon mandatin e tretë. Ndërsa, Dhionisios Alfred Beleri nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” aspiron për të tretën herë që të drejtojë Himarën, pas dy garave të humbura.
Në Selenicë përballja do të zhvillohet mes Nertil Bellajt nga Partia Socialiste dhe Leonard Rakipajt nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Bashkia e vogël e Delvinës do të ketë një garë mes të përzgjedhurit e socialistëve, Besmir Veli dhe Ilir Mehmetit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Finiqi është bashkia tjetër minoritare në qarkun e Vlorës, në të cilën gara do të zhvillohet mes tre emrave të spikatur të këtij qyteti. Partia Socialiste në këtë bashki bashkëpunon me Partinë “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen” dhe propozojnë emrin e Romeo Çakulit. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” garon me të përzgjedhurin e partisë minoritare PBDNJ, Leonidha Kristo. Ndërsa Partia Demokratike kërkon që votat e qytetarëve t’i fitojë me emrin e Leonidha Papas.
Ndërsa në bashkinë e skajit më jugor, atë të Konispolit, gara për 14 Majin zhvillohet mes Ergest Dules nga PS dhe Fatmir Sheros nga “Bashkë Fitojmë”. (A2 Televizion)