Duhej të ishte një javë festive, por kërcënimet dhe frika për sulme e kanë kthyer në një javë tensionesh të mëdha. Presidenti i zgjedhur Joe Biden betohet të mërkurën, dy javë pasi mbështetësit e Trump mësynë godinën e Kapitolit me pasojë vdekjen e 5 personave. Pasi FBI-ja paralajmëroi për protesta të armatosura në të 50-ta shtetet, tela me gjemba dhe barrikada janë ngritur në godinat qeveritare rreth vendit, ndërsa Uashingtoni është fortifikuar. Mbi 25 mijë trupa të gardës kombëtare do të angazhohen për të garantuar sigurinë në Uashington. Të gjithë pjesëtarët e gardës do t’i nënshtrohen vetingut, për shkak të frikës për kërcënime të brendshme. Më shumë trupa do të ketë në Uashington se në Afganistan, Irak dhe Siri të marra bashkë. “Më kujton kur vizitova Bagdadin, në zonën e gjelbër dhe pashë një prani të madhe ushtarake e barrikadash. Nuk kisha menduar kurrë se do të shihja diçka të ngjashme në Kapitolin tonë. Por ka kërcënim serioz për ekstremizëm të brendshëm si ai që pamë në 6 janar”, deklaroi kongresmeni demokrat Adam Schiff. Grupe te vogla protestuesish, disa prej të cilëve të armatosur, u mblodhën të dielën në selitë e legjislaturave shtetërore në Teksas, Oregon, Michigan, Ohio dhe shtete të tjera. E megjithatë, situata në shumicën e vendeve ishte e qetë, mes shtimit të masave të sigurisë. Faqe të grupeve ekstremiste dhe mbështetësve të Trump në internet, kanë bërë thirrje për protesta të armatosura, përfshirë për të dielën, por disa militantë u thanë ndjekësve të mos marrin pjesë për shkak të pranisë së shtuar policore. Të mërkurën, Joe Biden bën betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, në një atmosferë të pashembullt në masa të jashtëzakonshme sigurie dhe në mungesë të aktiviteteve festive si rezultat i koronavirusit. (A2 Televizion)
Betimi i Biden, Amerika blindohet, protesta të vogla rreth vendit
