
Lista Serbe kthehet në Kuvendin e Kosovës. 10 deputetë, 9 prej të cilëve nga ky subjekt politik, bënë betimin të enjten në parlament, duke zëvendësuar kështu përfaqësuesit e Listës Serbe që dhanë dorëheqjen pak ditë më parë.
Menjëherë pas betimit, deputetët e rinj e braktisën sallën e Kuvendit. Në një deklaratë, Lista Serbe tha se 9 deputetët e kësaj partia ishin betuar të enjten, për të konfirmuar teknikisht mandatet e tyre e për t’i ruajtur ato në duar të sigurta.
Kjo parti thekson se vendimi është krejtësisht politik dhe nuk do të thotë se do të kenë pjesë aktive në punën e Kuvendit.
“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, shkruhet në njoftim.
Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin ka nisur që në fillim të nëntorit në shenjë pakënaqësie me vendimin e qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme.
Komuniteti serb i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin me 120 anëtarë. Dy subjektet politike nga radhët e komunitetit serb, Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Lidhja Demokratike Serbe (SDS), të cilat kanë garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, janë shprehur të gatshëm të zëvendësojnë deputetet e Listës Serbe. (A2 Televizion)