
Qytetarët serbë në veri të Kosovës shprehen me mendime të kundërta për zgjedhjet e parakohshme lokale të 18 dhjetorit. Për “Kosova Press”, disa thonë se ato duhet të mbahen dhe se do të dalin në votime, ndërsa të tjerë mbështesin idenë se nuk është momenti i duhur për zgjedhje.
Qytetarët e komuniteti serb nuk i marrin seriozisht thirrjet për rezistencë pas datës 21 nëntor nga e ashtuquajtura “Brigada e Veriut”.
Ata thonë se ngjarjet e fundit janë vetëm pjesë e politikës dhe se kriza në fund do të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Situatën në veri të Kosovës e përshkruajnë të qetë dhe banorët konfirmojnë se ndihen të sigurt atje, pavarësisht dorëheqjes së anëtarëve të komunitetit serb të Policisë së Kosovës.
Disa nga deklaratat e serbëve të Kosovës:
“Unë ndihem plotësisht i sigurt, pavarësisht të gjitha ngjarjeve… Situata është e qetë… Mund të ketë tensione, barrikada, por e gjitha është pjesë e politikës dhe mendoj se kjo do të zgjidhet në mënyrë paqësore… Kam dëgjuar (për Brigadën e Veriut) vetëm përmes grafiteve dhe rrugëve, nuk e di kush qëndron prapa saj… Mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Nuk e di nëse do të mbahen, por serbët duhet të dalin në këto zgjedhje. Po do të marr pjesë, kam letërnjoftim të Kosovës”, thotë Bojan Premoviç, qytetar në veri të Kosovës
“Situata është gjithmonë në pikëpyetje, por ndoshta një ditë do të zgjidhet, në mënyrë që të dyja palët të jenë të kënaqura, si serbët ashtu edhe shqiptarët… Unë gjithmonë jam ndjerë i sigurt, sepse kam pasur miq shqiptarë… Zgjedhjet zakonisht mbahen kur ka ndonjë krizë… Kjo (dorëheqjet e kryetarëve të komunave) është një protestë kundër politikës së udhëheqësve shqiptarë… Unë gjithnjë dal në votime pavarësisht se kush i organizon ato”, shprehet Branisllav Miliç, qytetar në veri të Kosovës.
“Situata nuk është e mirë dhe sa po vërej me afrimin e 21 nëntorit, mendoj se do të ashpërsohet, nëse mbetet vendimi i njëjtë i Qeverisë së Kosovës. Mendoj se kjo kërcënon konflikte më të gjera… Mendoj se Brigada Veriore nuk është diçka serioze… 18 dhjetori është një periudhë e shkurtër për të organizuar zgjedhje. Ne edhe duke qenë policia vitin e kaluar nuk kemi pasur zgjedhje të drejta dhe demokratike, aq më pak tani pa polici dhe veç kësaj edhe shumica e qytetarëve tanë mendojnë se duhen bojkotuar këto zgjedhje, andaj mendoj se nuk ka kuptim që ne të kandidojmë si Iniciativë Qytetare”, Aleksandër Arsenijeviç, kryetar i iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe”. (A2 Televizion)