
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden zgjodhi ta mbajë fjalimin e tij drejtuar kombit për festat e fundvitit nga shteti i Delawere.
Në fokus të këtij fjalimi ishte situata me pandeminë, ku Biden pasi falënderoi të gjithë ata që po përballen me këtë armik të padukshëm në spitale, iu kërkoi qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë masat kundër koronavirusit.
“Jill dhe unë lutemi, ashtu si edhe të gjithë ju, për të gjithë ata që po përballen me këtë dimër të errët. Ky sezon i reflektimit ka një domethënie shumë më të thellë sesa zakonisht. Këtë vit amerikanët nuk do të munden të udhëtojnë si vitet e tjera”, u shpreh Biden.
Më tej presidenti i zgjedhur përshëndeti dhe miratimin e paketës së radhës nga Kongresi për përballjen e efekteve të pandemisë.
“Ky është vetëm hapi i parë i ndihmave kur të marrim detyrën muajin e ardhshëm. Si të gjitha kompromiset, ky është larg të qenit i përsosur. Kongresi e ka bërë punën e tij këtë javë dhe unë mund dhe duhet t’i kërkoj që ta bëjë atë sërish vitin e ardhshëm”, tha Biden. (A2 Televizion)