Biden: Veprimet e Putinit janë fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Do të ashpërsojmë sanksionet

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2022, 20:37 | Bota
Biden: Veprimet e Putinit janë fillimi i pushtimit rus të

Presidenti amerikan Biden i përshkroi ngjarjet që po ndodhin tani në Ukrainë si fillimi i një pushtimi rus të Ukrainës, ndërsa njoftoi sanksione të reja dhe të ashpra për të ndëshkuar Moskën.

Këto deklarata presidenti Biden po i bën në paraqitjen e parë publike nga Shtëpia e Bardhë, që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të hënën trupat të vendoseshin në rajonet separatiste të Ukrainës Lindore.

Përshkrimi i Bidenit për një pushtim rus në Ukrainë rrit menjëherë rrezikun për përgjigjen ndaj tij. Ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë zotuar të imponojnë pasoja të rënda ekonomike, nëse trupat ruse kalojnë në Ukrainë, duke përfshirë anëtarët e rrethit të brendshëm të Putinit dhe institucionet financiare ruse.

"Unë do të filloj të vendos sanksione si përgjigje, shumë përtej hapave që ne dhe aleatët dhe partnerët tanë zbatuam në 2014. Dhe nëse Rusia shkon më tej me këtë pushtim, ne jemi të përgatitur të shkojmë më tej me sanksionet”, tha Biden.

Por Biden do të rezervojë disa nga masat e tij më të ashpra, për t'i përdorur ato nëse Putini kryen sulm të përgjakshëm dhe të vazhdueshëm, të cilin zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar prej javësh.

Administrata filloi t'i përshkruante ngjarjet në Ukrainën lindore si një “pushtim" të martën, pasi vlerësoi situatën në terren atje, sipas zyrtarëve të administratës.

Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti fjalimin e presidentit rus Vladimir Putin të hënën një "rishkrim të shtrembëruar të historisë" në të cilën ai sulmoi "të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar".

"Ai sulmoi drejtpërdrejt të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar. Ai kërcënoi në mënyrë indirekte territorin e mbajtur më parë nga Rusia, duke përfshirë kombet që sot po lulëzojnë demokraci dhe anëtarë të NATO-s”, tha Biden.

Sipas Biden Putin kërcënoi në mënyrë eksplicite me luftë nëse nuk plotësoheshin kërkesat e tij ekstreme. Presidenti tha se nuk ka dyshim se Rusia është "agresori" kundër Ukrainës, por deklaroi se beson se ka ende kohë për të shmangur skenarin më të keq me diplomaci.

"Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë mbeten të hapur ndaj diplomacisë nëse është serioze. Kur gjithçka të thuhet dhe të bëhet, ne do ta gjykojmë Rusinë nga veprimet e saj, jo nga fjalët e saj. Dhe çfarëdo që Rusia të bëjë më pas, ne jemi gati të përgjigjemi me unitet, qartësi dhe bindje. Unë shpresoj se diplomacia është ende e disponueshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos