Bie nga skela teksa po punonte, vdes punëtori në Shëngjin

Nga A2 CNN
15 Prill 2023, 09:39 | Kronikë
Bie nga skela teksa po punonte, vdes punëtori në Shëngjin

Një punëtor ndërtimi ka ndërruar jetë në Shëngjin, teksa po punonte. Sipas burimeve të A2CNN, Arjan Lazri, 48-vjeç nga Kallmeti, ka rënë nga skela teksa po punonte në një pallat në zonën e Kunës në Shëngjin. Ai ka ndërruar jetë gjatë dërgimit për në spitalin e Lezhës.

48-vjeçari ka qenë duke punuar në zonën e Kunes në Shëngjin dhe fatkeqësisht është rrëzuar nga skela. Kolegët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë thirrur ambulancën për ta dërguar në spital, por fatkeqësisht ai vdiq rrugës.

Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet përkatëse për ngjarjen e rëndë.

“Lezhë / Informacion paraprak: Rreth orës 08:00, në Shëngjin, në Kune, shtetasi A. L. 45 vjeç, banues në Kallmet, duke punuar në një objekt në ndërtim e sipër, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga lartësia dhe si pasojë e dëmtimeve fizike të marra, ka ndërruar jetë.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale administratorin e firmës që po kryen punimet në këtë objekt, shtetasin A. K.

Gjithashtu, grupi hetimor vazhdon veprimet verifikuese hetimore në lidhje me zbatimin e rregullave teknike në punë dhe të dokumentacioneve, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton Policia e Lezhës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos