
Bilanci italian i pandemisë thotë se shifrat kanë pësuar një rënie të dukshme. Sipas autoriteteve shëndetësore, kanë qenë 17 938 të infektuar në 24 orët e fundit, ndërkohë që dje ishin 19 903.
Për sa i përket viktimave, bëhet fjalë për 484 të tilla, shifër tejet e lartë ende, por ndjeshëm më e ulët se ajo e ditës së djeshme, kur ishin 649. Vlen të theksohet se tamponët kanë qenë më pak ditën e sotme, 152 697 kundër 196 439 e ditës së mëparshme.
Rajonet më të goditura sot kanë qenë fillimisht Veneto (4049), më pas Lombardia (2335) Emilia Romanja (1940) dhe Lacio (1339).
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore kanë deklaruar shqetësimin e tyre për turmën e krijuar në metropole si Milano dhe Napoli, që dolën nga zona e kuqe duke çliruar dukshëm masat shtrënguese. Ata i kanë kërkuar autoriteteve lokale të kufizojnë shëtitjet dhe shoppingun masiv, aty ku nuk ndihmon as periudha e festave. (A2 Televizion)