
Edhe të premten Italia raportoi më pak raste të reja me Covid-19, e gjithashtu më pak viktima të shënuara në 24 orët e fundit.
Bilanci i përditësuar flet për 570 vdekje dhe gati 1400 të infektuar më shumë. Në total, viktimat e Covid-19 janë 18 849, ndërsa të shëruarit mbi 30 400, gati 2 000 më shumë se një ditë më herët.
Situata paraqitet më e lehtësuar edhe në terapitë intensive, ku ka të paktën 100 pacientë më pak.
“Kurba e infektimit në Itali sinjalizon se situta është drejt përmirësimit, por në asnjë mënyrë nuk duhet ulur vigjilenca”, paralajmëroi më herët Instituti i Lartë i Shëndetësisë. Përveçse në veri, rastet po bien edhe në jug e përmes një dekreti të ri, kryeministri Giuseppe Conte pritet të njoftojë disa rihapje me vlerë simbolike, si për shembull libraritë apo fabrikat që prodhojnë pajisje bujqësore, ato që punojnë me drurin e ndoshta dyqanet me veshje për fëmijë.
Të tjerët duhet të presin deri në 4 maj, kur mendohet se nëse gjithçka do të shkojë mirë, masat do të lehtësohen edhe për popullsinë e gjerë.
Por, të moshuarit dhe personat më të rrezikuar do të vazhdojnë të jenë në mbrojte për më gjatë. Eskpertët e Komitetit Teknik Shkencor parlajmërojnë kundër vendimeve të nxituara dhe thonë se nuk mund të kalohet menjëherë nga izolimi në liri. (A2 Televizion)