
Ministria e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka njoftuar dy projektvendimet e qeverisë për Transportin. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë ajo tha se do të implementohet sistemi e-transport sa i takon biletimit, duke hequr kështu biletat në format të parashtypur për transportin ndërqytetas. Sipas saj, prerja e biletave do të kryhet nëpërmjet sistemit elektronik të fiskalizuar e-transport, online ose me pajisje të fiskalizuar.
"Ministria e Infrastrukturës ka marrë një sërë vendimesh kryesisht shpronësimet në zona të ndryshme të vendit. Dy projektvendime për transportin; ndryshime dhe shtesa për përcaktimin e rregullave për pajisjen dhe shpërndarjen e udhëtarëve me bileta, për implementimin e e-transport për biletat elektronike sa i takon biletimit. Ndryshimet janë në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligj për transportet rrugore për faturat elektronike. Hiqen biletat në format të parashtypur për transportin ndërqytetas. Prerja e biletave kryhet nëpërmjet sistemit elektronik të fiskalizuar, e-transport, online ose me pajisje e fiskalizuara. Prerja e biletave nga agjencitë në mjete, autobusë ose kudo tjetër. Platforma elektronike garanton ciklin e plotë të prerjes së biletave Shtohen elementet e faturës së fiskalizuar dhe barcode i sigurisë. Biletat në format letër ose elektronik të gjenerohen nga platforma elektronike. E drejta e administrimit të biletave dhe sistemi i biletimit elektronik kalon nga ministria përgjegjëse në autoritetin kompetent të administrimit".
Balluku theksoi gjithashtu se i është hapur rruga kompensimit të 100 lekëve për litër të gjitha subjekteve të shërbimit urban.
“Projektvendimi i dytë prek gjithë qytetarët që përdorin transportin urban, për procedurat dhe masat e kompensimit në kuadër të paketës antikrizë. Kompensim 100 lekë për litër për subjektet që garantojnë shërbim urban. I kemi dhënë rrugë hapjes së kalkulimit për të nisur menjëherë kompensimin për 3 muaj të transportit urban. Shifrat janë të rëndësishme. 98% e transportit kryhet përmes rrugëve. Qeveria po mundohet të ruajë çmimin e biletës. Këto janë masa afatshkurtra dhe po punojmë edhe për zgjidhje afatgjata si përmirësimi i flotës, apo një flotë të re hibride apo elektrike, duke lënë mënjanë përdorimin e naftës dhe duke e kthyer në flotë miqësore për ambientin për të nxitur transportin urban”. (A2 Televizion)