Lefter Koka në burg, Gjykata e Lartë: I lirë, rrezikon të kryejë krime të rënda

Nga A2 CNN
13 Prill 2022, 11:24 | Politikë
Lefter Koka në burg, Gjykata e Lartë: I lirë, rrezikon të

Nëse do të lihej i lirë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, rrezikon të kryejë krime të rënda, ose të njëjta me ato për të cilat po hetohet nga SPAK. Ky është thelbi i arsyetimit të gjykatave të Posaçme, për lënien në qeli të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” dhe “pastrim të parave” në hetimet për inceneratorët.

Argumenti citohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, që latë pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-ministrin. Në këtë gjykatë Koka kërkoi zbutje të masës “arrest në burg” marrë për llogari të hetimit të inceneratorit të Elbasanit në masën e “arrestit në shtëpi”, ose liri kundrejt garancisë pasurore, por rekursi i tij nuk u pranua.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Lartë, një kopje e të cilit u sigurua nga A2CNN, Kolegji Penal thekson se nuk pranoi kërkesën e ish-ministrit, pasi nuk vërente zbatim të gabuar të ligjit në dy gjykatat më të ulëta.

Referuar vendimit Koka kishte kërkuar liri në Gjykatën e Lartë, duke paraqitur të njëjtat argumente me të cilat dështoi në Apel. “Rekursi nuk mund të jetë një përsëritje e shkaqeve të ankimit, për të cilat kërkuesi ka marrë një herë përgjigje nga gjykata e apelit”, thuhej në arsyetimin e Kolegjit.

Në vendimin e lënë në fuqi të Apelit, theksohej se masa “arrest në burg” ishte më e përshtatshmja për Kokën, pasi në liri, ai mund të përfshihej në krime të rënda, ose të njëjta me ato për të cilat është nën hetim. Lefter Koka qëndron në qeli prej dhjetorit, kur u prangos pas dyshimeve për 3,7 milionë euro ryshfet për inceneratorin e Elbasanit. Pozita e tij penale u rëndua dy javë më parë, pas një tjetër mase “arrest në burg” për llogari të hetimit të inceneratorit të Fierit.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos