
Tkurren për të tretin muaji radhazi eksportet shqiptare. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në shkurt, eksportet arritën në 22.5 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Goditja më e madhe ka ardhur nga sektori i energjisë, ku mungesa e reshjeve ka tkurrur eksportet me 1.2 miliardë lekë. Në rënie të fortë janë edhe eksportet e grupit “Materiale ndërtimi dhe metale”, si dhe ato të tekstileve e këpucëve, të ndikuara nga zhvlerësimi i euros.
Ecuria e dobët e sektorit të energjisë ka kushtëzuar rritjen e importeve. INSTAT-i konstaton se në shkurt importet u rritën me 8.1% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënia e eksporteve dhe rritja e importeve dhe thelluar deficitin tregtar, një lajm ky aspak i mirë për ekonominë. (A2 Televizion)