
Dy specialistë IT, te AKSHI-t të punësuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kanë bërë biznes me të dhënat sensitive të 630 mijë qytetarëve shqiptarë. Ishte ky konkluzioni paraprak i Prokurorisë së Tiranës pas publikimit të listëpagesave dhe targave. Prokuroria lëshoi 4 urdhërarreste për këtë çështje, ndërsa në hetim janë dhe patronazhistët.
Eni Qirjako dhe Andi Agaraj i shitën të dhënat e qytetarëve tek dy personat e tjerë të arrestuar Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. Mësohet se Sota është përmbarues privat ndërsa Ikonomi punon në një institucion financiar.
Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në një konferencë për mediat tha se fillimisht, specialistja e AKSHI-t, Eni Qirjako, ka pasur qasje në këto të dhëna dhe më pas ia dërgonte mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit We Transfer. Prokuroria e Tiranës Imeraj tha se në hetim është dhe dosja e patronazhistëve.
Dy punonjësit akuzohen për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim ndërsa Agaraj në 6 raste ka shitur të dhënat në shuma që varionin nga 20 deri në 30 mijë lekë secila. E fundit është tabela me listëpagesat e muajit shtator të viti 2021.
Prokuroria e Tiranës vendosi të sekuestrojë më 23 dhjetor serverin e AKSHI-t ndërsa për publikimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë në gjendje të lirë është proceduar dhe drejtori i IT së tatimeve Ervin Muça. (A2 Televizion)