Garancia sovrane, denoncimi i Donika Micit: Bankat nuk ma dhanë kredinë

Nga A2 CNN
15 Prill 2020, 20:50 | Ekonomi
Garancia sovrane, denoncimi i Donika Micit: Bankat nuk ma dhanë

Një anketë e Këshillit të Investimeve, realizuar në 361 biznese, 46% e të cilave kompani të mëdha, dëshmoi për gjendjen e vështirë që kalon sot sektori privat në Shqipëri, për shkak të krizës së  koronavirusit. 50% e kompanive të pyetura janë mbyllur, një pjesë i kanë nxjerrë punonjësit të papunë, nuk kanë likuiditet dhe nuk paguajnë dot as taksat. Këto janë vetëm disa nga gjetjen e anketës, që iu bënë të ditura edhe qeverisë.

Në “A2 Business Week”, Donika Mici, një nga biznesmenet më të vjetra të sektorit fason, zbuloi se garancia sovrane nuk mund të merret nëse nuk ke likuiditet dhe nëse ke kredi në bankë.

“Kemi 6 javë që kemi ndërprerë aktivitetin. Punojmë me tregun e huaj dhe të gjitha kontratat u ndërprenë. Një pjesë e mirë e 1600 punëtorëve kanë 6 javë në shtëpi. Deri këtë muaj i kemi paguar. Shkuam në bankë për të përfituar nga garancia sovrane, por morëm përgjigje negative. Bankat do i flirtojnë të gjitha garancitë sovrane, nuk është ashtu siç është transmetuar në media. Banka më tha se nëse nuk ke likuiditet, nuk merret garancia sovrane; nëse ke kredi bankare dhe je i ekspozuar, nuk merret garancia. Ky është problem në këtë moment pasi nuk ka biznes prodhimi që nuk ka kredi në banka. Nëse do të kisha likuiditet, nuk kam nevojë të shkoj në bankë”, theksoi Mici.

Ndërsa Ines Muçostepa, kreu i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, kërkoi ndihmë të menjëhershme nga qeveria.

“Kërkojmë ndihmë konkrete për të gjithë të punësuarit në biznese të mëdha dhe të mesme. Duhet një ndihmë financiare për kompanitë, lehtësira fiskale siç janë pagesat e kontributeve. Patjetër duhet të ketë edhe një paketë të tretë. Paketa e tretë nuk duhet të jetë e vonuar, më pas duhet paketa e katërt për rekuperimin e ekonomisë”, tha Muçostepa.

Ndërsa Zef Shtjefni kërkoi që të hapen bizneset me masat e duhura: “Paratë mos të jepen si asistencë, por kompanive që të mbajnë punonjësit në punë. Të hapen bizneset duke marrë masa për punonjësit, të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin sepse nuk mund të qëndrojmë pasivë. Nëse do të ndalojmë punën, është shumë më dramatike situata pastaj”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos