Blinken në Europë, Nato, Rusia dhe Ballkani në fokus të bisedimeve

Nga A2 CNN
25 Mars 2021, 14:20 | Ballkani
Blinken në Europë, Nato, Rusia dhe Ballkani në fokus të

Perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor mbetet një përparësi për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken.

“Ne do të punojmë së bashku, duke shmangur çdo lloj gare midis nesh për të mbështetur pajtimin dhe për të përmirësuar qeverisjen në Ballkanin Perëndimor dhe për nxitur reformat që bëjnë të mundur integrimin në Bashkimin Europian”.

Tema të diskutimit ndërmjet zyrtarëve të lartë amerikanë dhe evropianë kanë qenë edhe Kina, Irani dhe Rusia. Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë rënë dakord të rinisin një dialog dypalësh mbi Kinën dhe të punojnë së bashku për t’u përballur me "sjelljen sfiduese" të Rusisë, sipas një deklarate të Blinken dhe Borrell.

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit tha se nuk do të detyrojnë asnjë aleat të NATO-s të zgjedhë mes Uashingtonit dhe Pekinit. Por, kryediplomati amerikan paralajmëroi se Kina po kërkon të minojë demokracitë liberale Perëndimore.

“Ne biseduam për qëllimin tonë të përbashkët për të parandaluar Iranin nga blerja e armëve bërthamore, nevojën urgjente për të adresuar ndryshimin e klimës dhe sfidat që paraqet Kina. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerët më të afërt”.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në Europë ka për qëllim “të theksojë vendosmërinë” e administratës së presidentit Joe Biden “për të forcuar aleancën transatlantike dhe për të gjallëruar lidhjet me aleatët përmes NATO-s”. Blinken mori pjesë në një takim dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos