
Në një prononcim për media nga kufiri në Mërdarë, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se bllokimi i pikave kufitare bëhet me qëllim për destabilizim të rajonit. Ai shpreson se KFOR dhe organet e drejtësisë kosovare të bëjnë çfarë duhet për të garantuar lëvizjen e lirë.
“Po shohim një gjendje që po e përcjellim me shqetësim për arsye që në këtë periudhë kohore të bëhet pengimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve. Mendoj që është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për të lëvizur të lirë në të gjithë hapësirën tonë këtu, por nga një shtet si Serbia priten këto gjëra. Është një situatë e komplikuar sidomos për bashkatdhetarët tanë që frekuentojnë këtë arterie rrugore. Shpresoj që kjo situatë të tejkalojë sa më shpejt dhe bashkatdhetarët tanë të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative që të mos bien pre e provokimeve. Këto veprimet janë të orkestruar për çrregullim të gjendjes në rajon. Shpresoj që faktori ndërkombëtar do të merret me veprime konkrete e iniciativa konkrete që këto pengesa që shkaktojnë pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda dhe jashtë territorit të Kosovës dhe të krijohen kushte për lëvizjen e lirë. Ndërsa për barrikadat që janë në veri shpresoj që KFOR e Këshilli i Sigurisë të ndërmarrë veprime konkrete që ato rrugë të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur”. (A2 Televizion)