
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca e sotme plenare kreun e demokratëve, Sali Berisha.
Berisha është përjashtuar nga seanca e sotme plenare pas disa paralajmërimesh, pasi ai dhe deputetët që i përkasin grupimit të tij, bllokuan foltoren dhe nisën transmetimin “live” në Facebook-un e ish-kryeministrit.
Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë situata vijon të jetë kaotike pasi deputetët e grupimit të Sali Berishës vijojnë të mbajnë të bllokuar foltoren, deputetët e PL-së kanë kërkuar nga kryeparlamentarja Nikolla që t’i japë zë opozitës dhe të vendosë rend në sallë. Nga ana tjetër, shumica socialiste vijon me rendin e ditës.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar prezencën e kryeministrit Edi Rama në sallë, ndërsa një kërkesë e bërë më herët gjatë ditës për ndryshimin e rendit të ditës për të mbajtur një mocion me debat për çështjen McGonigal, u rrëzua me votë nga mazhoranca. (A2 Televizion)