Skandali McGonigal, gazetarja jep detaje, “14 fakte nga 70 të çojnë në zyrën e kryeministrit shqiptar”

Nga A2 CNN
25 Janar 2023, 22:49 | Politikë
Skandali McGonigal, gazetarja jep detaje, “14 fakte nga 70 të

Çështja McGonigal premton të shndërrohet në një stuhi që nuk përfshin vetëm funksionarin e lartë amerikan, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe korrupsion, por drejtpërdrejt edhe ekzekutivin shqiptar. Të paktën, ky është mendimi i Aranita Brahaj drejtore ekzekutive e Open Data Albania

“Për fat të mirë këtë radhë kemi një dokument zyrtar shumë mirë të kopsitur, i hartuar jo nga një palë politike, por nga gjykata e SHBA në distriktin e Kolumbias. Ku dokument me 70 fakte ka një kronologji shumë të saktë dhe dokumente të fakteve, edhe pse kemi të bëjmë me një zyrtar të FBI, janë fakte që të çojnë në selinë ku punon kryeministri i Shqipërisë”, thotë Brahaj e ftuar në “Debat”.

Sipas saj, “akuzat nuk janë vetëm për mosdeklarim, akuzat janë të rënda dhe zyrtari rrezikon të paktën në 20 vite burg, dhe janë vepra të përsëritura.  Ato janë fshehja e fakteve dhe materialeve, deklarim i rremë, falsifikim i të dhënave dhe dokumenteve. Dokumenti thotë se i pandehuri është angazhuar në një marrëdhënie private me një person A, qytetar shqiptar i kthyer në nënshtetas amerikan tashmë të identifikuar si ish eksponenti i shërbimeve sekrete, diçka që bie ndesh me detyrën e tij. Rezultatet janë flagrante dhe lidhen me Shqipërinë. Mc Gonigal ka fshehur marrjen e 225 mijë dollarëve, duke e shndërruar në burim”.

Këtu, duke u bazuar tek dokumenti gjyqësor amerikan, Brahaj rindërton kronologjinë e çështjes së ndërlikuar.

 Sipas saj, “nga 70 të tilla,  14 fakte të çojnë te kryeministri shqiptar. Në gusht 2017, ky zyrtar i FBI dhe Personi A ka bërë një bisedë ku kërkohen para. Në shtator thuhet se paratë mund të gjenden. Në shtator Mc Gonigal i hipën avionit pa deklaruar dhe vjen në Shqipëri. Në shtator i garantohen paratë. Në 9 shtator darkon me kryeministrin shqiptar ku ishin prezent edhe një këshilltar që kryeministri thotë se ishte pa pagesë, personi B, si dhe personi A”, të identifikuar i pari si Dorian Duçka dhe i dyti si Agron Neza.  

Brahaj vijon në detaje. “Më pas kemi udhëtime të tjera, dhe Gjykata e Distriktit thotë se pas udhëtimeve shqiptare i pandehuri vijon me marrëdhëniet me kryeministrin e Shqipërisë, që nuk e dimë ende në detaj. Në 5 tetor paguhet 80 mijë dollarë cash, pastaj dy këste të tjera. Në 19 nëntor kemi një tjetër darkë me kryeministrin dhe me zyrtarë të tjerë, në dhjetor darka kthehet dhe hahet në Nju Jork, me kryeministrin që nuk denjon të bëj të ditur as itinerarin. Dhe në janar fillon e shënohet një çështje penale për një shtetas amerikan që ka lobuar për një parti që nuk është ajo e kryeministrit të Shqipërisë”.

Gjyqi amerikan ndaj McGonial do të jap detaje më shumë, ndërkohë që ish zyrtari i FBI është deklaruar si i pafajshëm. Por Brahaj merr përsipër edhe analizën e saj të fakteve.  

“Çështja është bërë më dëshmitar që kanë ardhur të paketuar me para të paguara, ku ndodh që një dëshmitari t’i paguhet rruga nga Europa në Nju Jork dhe të mendosh që është i njëanshëm, ku ndodh që një forcë politike pavarësisht nga kryeministra të prodhojë prova për rivalin dhe këto prova të bëjnë atë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë  e SHBA me një vend dashamirës, pra një çështje që ka ndikuar në marrëdhëniet politike të një vendi të vogël si Shqipëria.  Ky zyrtar ka marrë prova të modifikuar nga qeveria shqiptare dhe i ka vendosur në tavolinën e punës të vartësve të tij, ka ndikuar për hapjen e një çështje penale ndërkohë që në Shqipëri nuk fliste për gjë tjetër vetëm për paratë ruse pas një investigimi difektoz të Mother Jones”.   (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/25/rasti-mcgonigal-rama-kam-takuar-nje-zyrtar-te-fbi-se-dhe-do-ta-takoja-serish/
https://a2news.com/2023/01/25/ceshtja-mcgonigal-dervishi-do-te-mbetet-ne-historine-shqiptare-por-tronditja-me-e-madhe-eshte-ne-shba/
https://a2news.com/2023/01/25/rasti-i-mcgonigal-brahaj-per-ramen-ka-filluar-dimri-i-vetmise-se-madhe/

A2 CNN Livestream

Latest Videos