«Washington Post»: Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte i suksesshëm. Por cili është qëllimi përfundimtar?

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 19:04 | Blog

«Washington Post»: Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte i

Në një editorial të redaksisë, «Washington Post» shkruan se sulmi ajror i Izraelit kundër infrastrukturës bërthamore të Iranit dhe udhëheqjes së tij ushtarake u konsiderua gjerësisht si një sukses operacional. «Pjesë të konsiderueshme të programit bërthamor janë dëmtuar ose shkatërruar, komandantë të lartë të Gardës Revolucionare janë vrarë, si dhe shkencëtarë kyç». Por, siç paralajmëron gazeta, pyetjet e mëdha sapo kanë filluar të shtrohen.

Fitorja taktike nuk përkthehet domosdoshmërisht në një strategji afatgjatë të qartë. Pyetja thelbësore që shtrohet është: a e ka Izraeli një plan për «ditën pas»? Dhe çfarë roli kanë SHBA-të në këtë dinamikë? Edhe pse çdo pengesë ndaj ambicieve bërthamore iraniane konsiderohet «fitore për sigurinë globale», sulmi i fundit mund të ketë pasoja të paparashikuara.

Një çështje kyçe është nëse Irani ende ka kapacitetin për të prodhuar centrifuga të avancuara për pasurim uraniumi. Ndërsa objektet në Natanz janë dëmtuar rëndë, uzina e Fordowit, ndërtuar thellë brenda një mali, mbetet e paprekur — dhe e paarritshme përveçse nga bomba të posaçme që SHBA-të nuk i kanë dhënë Izraelit. Editoriali i «Washington Post» paralajmëron se Irani mund të vendosë tani ta fshehë tërësisht programin bërthamor, të largohet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore ose të dëbojë inspektorët e Ajencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atonike, të cilët gjithsesi kanë pasur vetëm qasje të kufizuar.

Goditja izraelite mund të sjellë efekt të kundërt: të shtyjë Iranin të përshpejtojë përpjekjet për të ndërtuar një armë bërthamore si mjet parandalues ndaj sulmeve të ardhshme — këtë herë me fshehtësi edhe më të madhe. Po ashtu, nuk dihet nëse ky poshtërim ushtarak do ta destabilizojë regjimin iranian, apo do të forcojë mbështetjen nacionaliste për të. Regjimi iranian ka investuar qindra miliarda dollarë dhe një pjesë të madhe të prestigjit të vet në programin bërthamor, duke sakrifikuar ekonominë që është gjymtuar nga sanksionet perëndimore.

Ende nuk është e qartë shkalla e përfshirjes së SHBA-ve në këtë sulm. Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Izraeli veproi i vetëm. Por presidenti Donald Trump deklaroi për «Wall Street Journal»: «Nuk kishim nevojë për paralajmërim — ne e dimë çfarë po ndodh.» Kjo mospërputhje shton dyshimet për një koordinim të heshtur amerikan me Izraelin. Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi përfundoi afati 60-ditor që Trump i kishte dhënë Iranit për një marrëveshje të re bërthamore. Ndaj lind dyshimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, me mbështetjen e heshtur të SHBA-ve, synoi të shkatërronte çdo shans për marrëveshje nëpërmjet forcës ushtarake.

Trump më pas deklaroi: «Iranianët ende mund të bëjnë një marrëveshje, përderisa u ka mbetur diçka.» Kjo përforcon perceptimin se Washingtoni dhe Jeruzalemi mund të jenë duke ndjekur një lojë të mirëmenduar diplomatike, ku njëra palë vepron si «polici i keq», tjetra si «polici i mirë».

Benjamin Netanjahu ka vite që paralajmëron për rrezikun ekzistencial që paraqet një Iran bërthamor për Izraelin. Sipas «Washington Post», kryeministri ndoshta ndjeu se momenti ishte i favorshëm për të goditur: pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, perceptimi izraelit për sigurinë ka ndryshuar rrënjësisht. Për më tepër, Irani ndodhet në pozitën më të dobët rajonale në dekada: Hamasi është goditur rëndë në Gaza, Hizbollahu është dobësuar në Liban, dhe regjimi i Asadit në Siri është rrëzuar. Një goditje izraelite më e vogël vitin e kaluar kishte degraduar sistemet mbrojtëse ajrore të Iranit.

«Izraeli goditi kur kushtet ishin të pjekura», shkruan «Washington Post». Por mungesa e një strategjie të qartë për pasojat dhe roli i paqartë i SHBA janë alarmante. Gazeta paralajmëron drejtpërdrejtë Donald Trumpin: një president që është shprehur kundër përfshirjes në «luftëra të përjetshme» në Lindjen e Mesme, duhet t’i rezistojë çdo përfshirjeje të re.

E.R. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos