Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën.
Në një intervistë të tijën për Radio Europa e Lirë, Hill thekson se ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.
“Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe. Ndaj, mendoj se koha kur një vend i Ballkanit vinte te ne për t’u ankuar për një vend tjetër të Ballkanit, [ka mbaruar], sepse njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit, dhe jo një vend që shkon te ndonjë anëtar i preferuar i komunitetit ndërkombëtar dhe i thotë: Na ndihmo”, tha Hill, përcjell A2.
Në intervistën e tij, dimplomati amerikan thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën, prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij: “Është mjaft zhgënjyese që nuk arrijmë të kuptojmë apo nuk arrijmë në pikën ku biem dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai bllokohet me çështje që janë më shumë propagandistike sesa reale. Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre. Modele të tilla ka në gjithë botën, sidomos në Evropë. Dhe, që kur kryeministri i atëhershëm [i Kosovës, Hashim] Thaçi e ka nënshkruar atë, ajo është dashur të zbatohet”.
Në fund, Hill thekson se Serbia nuk po e kërcënon territorin e Kosovës.
Sipas tij, në fakt, të gjithë njerëzit në Ballkan flasin për territor, flasin për tokë. Por, problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka, por janë njerëzit. (A2 Televizion)