Ky qytet kosovar në Mesjetë ishte sa gjysma e Vjenës…

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2026, 11:13 | Blog

Ky qytet kosovar në Mesjetë ishte sa gjysma e Vjenës…

Nga Enver Robelli

I vetmi vendbanim në Ballkanin qendror që ka një toponim gjerman gjendet në Kosovë. Bëhet fjalë për - Neuenberg. Kështu quhet Novobërda (ose Artana) në dokumentet historike. Në fillim të shekullit të 15-të kishte mes 8000 deri 10’000 banorë. Ishte në kulmin e zhvillimit ekonomik. Ishte sa gjysma e Vjenës dhe me të njëjtën madhësi sa qytetet e rëndësishme të Perandorisë së Shenjtë Romake, shkruan historiani Oliver Jens Schmitt në këtë shkrim të botuar në gazetën austriake “Standard”.

Udhëtarët burgundas (rajon francez) tregonin për pasurinë përrallore që despotët serbë nxirrnin nga Novobërda: 200’000 dukatë ari, po aq sa nxirrte Republika e Venedikut nga zotërimet e saj jashtë shtetit. Një “qytet i vërtetë argjendi dhe ari” e quajti Novobërdën historiani dhe shkrimtari bullgar Konstantin Filozofi, autor i një biografie lavdëruese për despotin serb Stefan Lazareviq, i cili vdiq më 1427. Bashkëkohësit bizantinë flisnin për një mal prej ari dhe argjendi. Në atë kohë punëtorë nga gjysma e Europës erdhën të punonin në Novobërdë, shumë prej tyre ishin sasë (Sachsen), xehtarë gjermanë nga Hungaria e Epërme (Sllovakia e sotme).

Ky qytet kosovar në Mesjetë ishte sa gjysma e Vjenës…

Kapitalin e nevojshëm për investime e siguruan tregtarët e pasur nga Dubrovniku, të cilët ngritën një seli në Novobërdë. Nga familja, e cila në latinisht quhej Caboga, ndërsa në kroatisht Kabužić, është ruajtur një libër llogarish që tregon se ndërmarrja ka eksportuar 3280 kilogramë argjend mes viteve 1426 dhe 1432. Transportin e siguronin vllehët.

Sasët dhe dubrovnikasit ishin katolikë, dhe për shpëtimin e shpirtit të tyre kujdeseshin priftërinjtë katolikë, të cilët, gjithashtu si emigrantë pune, kishin emigruar nga Shqipëria e Veriut katolike. Krahas investitorëve nga Dubrovniku, gjenden gjithashtu edhe biznesmenë të pasur nga jugu i Ballkanit, kryesisht grekë bizantinë.

Qyteti i madh minerar, prej të cilit karvanet e ngarkuara rëndë merrnin rrugën e gjatë drejt bregdetit të Adriatikut pranë Dubrovnikut, që nga fillimi i shekullit të 15-të i tërhiqte sulmet e hordhive plaçkitëse osmane në mënyrë pothuajse magjike, shkruan Schmitt. Trupat grabitqare osmane ishin kryesisht në gjueti njerëzish; mirëpo në brendësi të Ballkanit priste një pre edhe më e madhe, minierat në Kosovë dhe në Bosnjë. Pas disa dështimeve osmanët e morën qytetin. Më 1441, Novobërda u detyrua t’ia hapte portat komandantit osman Shihabedin, një njeriu që mendohet se ishte vetë serb dhe kishte braktisur besimin e tij të vjetër.

Më 1455 qyteti u dorëzua krejtësisht. Sulltani vendosi personalisht për fatin e banorëve: fisnikët u ekzekutuan; 320 djem u detyruan të hynin në korpusin e jeniçerëve; rreth 700 vajza u shpërndanë si plaçkë luftë mes luftëtarëve. Schmitt shkruan: “Sulltanët e transformuan shoqërinë e qytetit: vendbanimi fillimisht tërësisht i krishterë u vendos nën pushtimin mysliman, i cili përbëhej në shumicë nga serbë të islamizuar. Por shpejt në qytet arritën njerëz nga e gjithë perandoria, burra nga Amasja e Anatolisë, nga Galipoli në Dardanele, nga Jamboli i Bullgarisë, nga Nishi dhe Shkupi, por edhe nga veriu, nga Beogradi e madje edhe nga Hungaria. Novobërda e ruajti fillimisht karakterin e saj multietnik, por shumica e emigrantëve tani vinin nga jugu dhe lindja, dhe jo më nga veriu dhe perëndimi. Argjendi rrodhi drejt Stambollit osman. Novobërda u riformatua në një sistem osman të pushtetit, migrimit dhe ekonomisë”.

Me pushtimin osman mori fund dalëngadalë edhe epoka e lulëzimit ekonomik. Novobërda u bë qytet anonim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos