Noti, dorështrëngimi, "mëkati" dhe gjykata më e lartë zvicerane

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 12:14 | Blog
Noti, dorështrëngimi, "mëkati" dhe gjykata më e

Nga Enver Robelli

Kisha palmariano-katolike është një sekt ekstrem i djathtë. Nuk e pranon Papën. Emëron një papë të vetin. Është akuzuar se e ka shpallur të shenjtë Adolf Hitlerin për shkak se ka qenë antikomunist (sot kisha palmariano-katolike e mohon se e ka glorifikuar Hitlerin).

Një familje zvicerane, anëtare e këtij sekti, prej vitesh lufton nëpër instanca gjyqësore kundër autoriteteve shkollore. Familja thotë se djali i tyre, i lindur më 2016, nuk duhet të marrë pjesë në mësimin e notit në shkollë, sepse të shohësh trupa lakuriq është “mëkat i madh”. Sipas mediave zvicerane anëtarëve të këtij sekti u është e ndaluar të shikojnë televizionin, të shkojnë në kinema dhe të lexojnë gazeta jo-palmariano-katolike. Gratë duhet të bartin fustane të gjata dhe shami, burrat këmisha e kravata.

Tani ka vendosur Gjykata Federale (instanca më e lartë juridike e Zvicrës): gjykatësit thonë se nuk mund të ketë përjashtim nga vijimi i lëndëve të caktuara për arsye fetare. Rrjedhimisht djali i familjes radikale katolike duhet të ndjek mësimin e notit.

Në të kaluarën beteja juridike me shkollat zvicerane kanë zhvilluar familjet myslimane. Një prind boshnjak (mysliman radikal) u dënua me 4 muaj burg me kusht për shkak se me kryeneçësi refuzoi që vajza e tij të mësojë not në shkollë. Edhe familje të tjera nuk kanë përtuar të luftojnë me mjete juridike për të imponuar tabiatet e tyre të prapambetura. Gjykata Federale e Zvicrës nuk lëshoi pe: askush nuk mund të lirohet nga mësimi i notit apo ndonjë lëndë tjetër për arsye fetare. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e mbrojti këtë praktikë në vitin 2017: ndërhyrja në lirinë e fesë u cilësua si e justifikuar. Në këto vendime bëhet fjalë gjithashtu për integrimin e fëmijëve në shoqëri dhe barazinë.

Një dramë e madhe juridike u zhvillua pasi dy djem sirianë refuzuan t’ia jepnin dorën për përshëndetje mësueses së tyre në një shkollë në Zvicrën veriore.

Ndonëse nuk është fenomen shumë i përhapur, fatkeqësisht, edhe te disa familje shqiptare ka gra që nuk pranojnë t’i përshëndesin burrat me shtrëngim dore. Ky fenomen primitiv është i pranishëm si në mërgatë, ashtu edhe në viset shqiptare në Ballkan (Kosovë, Maqedoni e Veriut e Luginë e Preshevës). Në hapësirat publike në Kosovë viteve të fundit bien në sy edhe gra të maskuara me burka, ku vetëm një prerje e hollë (shlic) u mundëson atyre që të shohin botën dhe të mos zënë në thua dhe të thyejnë hundët kur ecin në rrugë.

Në Zvicër burka është ndaluar dhe ligji ka hyrë në fuqi vitin që shkoi. Personi i parë që u gjobit për shkelje të ligjit ishte një grua kosovare. Ajo u gjobit vitin që shkoi në Bern për shkak se kishte bartur burkën në një qendër tregtare. Ka po ashtu xhami në diasporë që prezantohen si "shqiptare" dhe ku vajzat e moshës jomadhore bartin shami, pasi që këto janë pritjet që kanë ndaj tyre prindërit apo prijësit koservatorë fetarë. Në këtë mënyrë vajzat, ende të papjekura, reduktohen në rolin e krijesave që duhet të jenë të dëgjueshme çfarë kërkojnë burrat prej tyre.

Vendimi i fundit i Gjykatës Federale të Zvicrës në lidhje me familjen radikale katolike tregon se shteti është konsekuent në mbrojtjen e rregullave dhe ligjit pa marrë parasysh se për çfarë feje bëhet fjalë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos