Si e keqtrajtuan nacionalistët gjermanë e austriakë Aleksandër Moisiun

Nga A2 CNN
22 Mars 2026, 22:35 | Blog

Si e keqtrajtuan nacionalistët gjermanë e austriakë

Nga Enver Robelli

Morcote është fshati më i bukur në Zvicër. Ose ndoshta ndër më të bukurit, sepse bukuria, siç thuhet, nuk ka fund. Këtu pushon aktori i famshëm me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Dhe pushon në varrezën më të bukur në botë. Ose ndoshta më të bukurën.

Në këtë varrishtë - kjo fjalë gjendet në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të publikuar së fundi online - shkrihen në një njësi harmonike natyra, historia dhe arkitektura. Varreza e famshme e ndërtuar në formë tarracash daton që nga viti 1750. Pamja mbi Liqenin e Luganos është madhështore.

Aleksandër Moisiu vdiq në moshën 55-vjeçare, më 22 mars 1935, në një sanatorium në Vjenë nga pneumonia. Ishte dëshirë e tij të varrosej në Morcote.

Aleksandër Moisiu u lind më 2 prill 1879 në Trieste, qytet verior italian, i cili atëbotë i përkiste Austri-Hungarisë. Ishte më i vogli nga pesë fëmijët e Amalia de Radio (nga një familje shqiptaro-italiane) dhe sipërmarrësit shqiptar Kostandin Moisiu. Si shumë të rinj me ëndrra të mëdha dhe me talent edhe Moisiu vajti në Vjenë për të nisur karrierën e aktorit. Sukseset e para në Burgtheaterin e famshëm qenë modeste. Shpërthimin e madh në karrierë e arriti në Berlin te regjisori austriak me origjinë hebraike Max Reinhardt. Moisiu luaji role në drama të Ibsenit dhe Tolstoit.

Shumë shpejt Moisiu u shënjestrua nga nacionalistët gjermanë e austriakë, të cilët besonin se ishte hebre. Fushata kundër tij ndërmori edhe revista satirike e Vjenës “Kikeriki” (edhe kjo duke e shënjuar si hebre). Kësisoj tentohej t’i bllokohej rruga si artist. Dhe sikur kjo fushatë antisemite të mos mjaftonte, Moisiu u etiketua edhe si komunist.

Propaganda mori hov kur Moisiu u martua me aktoren gjermane Johanna Terwin. Dëshmitarë të martesës qenë Friedrich Brehmer, kapiten fregate në pension dhe drejtor teatri, dhe Sophia Liebknecht. Ajo ishte e veja e Karl Liebknechtit, i cili ishte ikona e lëvizjes komuniste në Gjermani. Liebknecht ishte kundërshtar i luftës. Ishte i vetmi anëtar i Parlamentit Gjerman (Reichstag) që votoi kundër kredive të luftës në vitin 1914, duke e cilësuar Luftën e Parë Botërore si një katastrofë imperialiste. Më 1919 Liebknecht udhëhoqi Kryengritjen e Janarit në Berlin, duke tentuar të rrëzonte qeverinë dhe të vendoste një republikë socialiste. Pas dështimit të kryengritjes, ai u arrestua dhe u ekzekutua pa gjyq nga forcat paraushtarake të krahut të djathtë (më 15 janar 1919).

Liebknecht nuk ishte i vetmi që u vra atë vit. Më 8 tetor 1919 u vra politikani socialdemokrat Hugo Haase. Më 13 nëntor 1919 Aleksandër Moisiu foli para 1200 personaliteteve gjermane të cilat ishin tubuar në sallën e parlamentit në Berlin për të kujtuar Hugo Haasen, të vrarë nga një person me të meta mendore. Atëbotë Aleksandër Moisiu ishte padyshim socialist. Për këtë arsye, autoritetet çekosllovake ia kishin ndalur hyrjen, por presidenti ia kishte lejuar. Më 1 maj 1919 Moisiu mbajti madje fjalim para punëtorëve të Zürichut.

Nga fjalët plot helm nacionalistët shpejt kaluan në vepra të dhunshme. Kur më 19 qershor 1920 teatri Neue Wiener Bühne (Skena e Re e Vjenës) organizoi një shfaqje me Aleksandër Moisiun, në fund u krijua një rrëmujë e madhe: studentë nacionalistë gjermanë, të armatosur me shkopinj dhe duke ulëritur iu vërsulën Moisiut për ta rrahur. Për ta Moisiu ishte “komunist” dhe “hebre”. Aktori shpëtoi vetëm falë ndërhyrjes së mysafirëve të pritjes, e cila ishte organizuar në një kopsht për nder të tij.

Më 1920 Moisiu dhe bashkëshortja e tij Johanna Terwin u paraqitën për herë të parë në Festivalin e Saltzburgut në dramën “Jedermann” (Çdokushi) të shkrimtarit Hugo von Hofmannsthal.

Një shkrimtar lokal u ankua se qe detyruar të ikte në fshat për shkak të “vërshimit të hebrenjve” në Salzburg. Gazeta “Salzburger Chronik” shkruante se fshati Mattsee mund të krenohej se ishte “judenrein” (i pastër nga hebrenjtë).

Shkrimtari i famshëm Stefan Zweig, i cili ishte me rrënjë hebraike, hynte në mesin e miqve të ngushtë të Moisiut. Në librin e tij monumental “Bota e djeshme” (“Die Welt von gestern”) Zweig përmend pozitivisht edhe Moisiun.

Historitë me Moisun nuk marrin fund. Kujt i pëlqen muzika klasike, me siguri ka dëgjuar për dirigjentin austriak Herbert von Karajan. I ati i tij Ernst Karajan ishte drejtor i spitalit në Salzburg. Njëherë Moisiu iu lut atij që ta lejonte të asistonte në një lindje. Pse? Sepse dëshironte ta përshkruante sa më saktë lindjen gjatë shfaqjes së një drame. Kështu ndodhi: Ernst Karajan i dha lejen, Moisiu veshi një mantel të bardhë dhe hyri në sallën e lindjes, në gjoks mbante emrin “Dr. Alexander”. Nuk bëri punë ky maskim. Ishte aq prominent, saqë menjëherë e zbuluan se kush ishte. Partia naziste nisi një fushtë kundër tij me thirrje si: “Hebreu Moisi argëtohet!”, “Moisi-Moses si akusher!”, “Lindja e një të krishtereje si shfaqje për hebreun!”

Më 30 gusht 1931, Moisiu pati paraqitjen e tij të fundit si “Jedermann”. Urrejtja tashmë ishte shpërndarë gjerësisht në Austri dhe Gjermani. Më 1932 presioni ishte aq i madh, saqë Festivali i Salzburgut nuk e ftoi më Moisiun. Në vend të tij, për të luajtur rolin e “Jedermannit”, u thirr aktori gjerman Paul Hartmann.

Moisiu e solli në skenën e teatrit gjerman një gjermanishte pothuaj muzikale pasi që gjuhë amtare kishte italishten. Në rolin e “Jedermannit” ai ishte një ëndërrimtar që vuante. Hartmann solli një “Jedermann” tjetër: heroik, i fuqishëm, i lidhur me truallin. Ky imazh i përshtatej viteve të nazizmit. Por Moisiu mbetet “Jedermanni” më i paharrueshëm.

Çdokushi (Jedermann) ishte njeri i pasur. Në një moment të jetës së tij atë e sjellin përpara gjyqit të Perëndisë. Në çastin e vdekjes, Jedermannin e braktisin e dashura, miqtë dhe të farefisi. Ai kupton se të gjitha të mirat materiale janë të përkohshme. Në çastin e fundit, ai gjen besimin, pendohet për mëkatet e tij dhe shpëtohet përmes hirit të Perëndisë. Mësimi që nxjerr është se duhet të bëjë vepra të mira. Drama e Hugo von Hofmannsthalit, e cila hap vit pas viti Festivalin e Salzburgut, është një nga shfaqjet teatrale më popullore të shekullit të 20-të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos