Nga Fadil Maloku
Që nga ardhja e administratës së Donald Trump, duket se demokracia amerikane ka filluar t’i shkundë themelet mbi të cilat është ngritur jo për dekada, por për shekuj të tërë. Ky deklinim, në teorinë sociologjike të regjimeve politike, njihet si fenomeni i “procesit të rrëshqitjes” (step by step) së demokracisë neoliberale në një autokraci që, mund të themi, është e ambalazhuar me petkun demokratik.
Për shumë sociologë të sotëm, retorika e “rrëshqitjes” nga binarët tradicionalë të Amerikës po ndodh pikërisht me administratën e tanishme të Donald Trump. Po ashtu, nga disa “partizanë” të tjerë fanatikë thuhet me gjysmë zëri se i gjithë ky trend i “rrëshqitjes” (step-by-step slide) nuk mjafton të perceptohet vetëm përmes “dioptrisë binare” (“ka” apo “s’ka” demokraci), por si një kontinuum institucional që aktualisht po dëshmon faktin se Amerika është në një udhëkryq historik, apo në një proces vetëkërkimi të formave të reja të ridominimit të saj në botë (MAGA). Ka edhe të tjerë që thonë se Trump, në fakt, është vetëm një “noter” formal i projektit tashmë MIGA (Make Israel Great Again).
Por ajo që është shqetësuese për gjithë historinë e demokracisë është fakti nëse kjo narrativë ka filluar pikërisht në ditët e sotme, kur ka shpërthyer tensioni ndërmjet Amerikës, Izraelit dhe Iranit. Një hipotezë tjetër është: sa po rrezikohen, me këtë tendencë autokrate të sjelljeve, fundamentet paradigmatike të demokracisë (pluralizmi politik, kontrolli institucional mbi pushtetin, liria e medias dhe e shprehjes, si dhe sundimi i ligjit) nga imponimi i diskurseve autokratike që po personifikohen me Donald Trump dhe Xi Jinping në nivel global, me Vladimir Putin dhe Viktor Orbán në nivel kontinental, si dhe me tandemin tashmë të njohur Aleksandër Vuçiq & Edi Rama në nivel rajonal?
Një përgjigje e prerë duket ende e pamundur, edhe për shkakun se ky tip i autokracisë “demokratike”, duke përdorur forcimin e pushtetit ekzekutiv, dobësimin e kontrollit parlamentar dhe sidomos politizimin e administratës publike, të mediave dhe të elitave institucionale, po arrin që, me mjete demokratike, të sjellë vendime tejet autokratike.
Nga këndvështrimi ynë sociologjik mund të shtrohet edhe një tezë e re në formë hipoteze, e cila na parapërcakton një fakt të ri politik: Amerika nuk është duke u transformuar nga një “dinosaur” i njohur demokratik në një “mi” të ri autokratik, siç mund të mendojnë disa politologë e sociologë me ardhjen e Trumpit, por është duke kaluar nga një demokraci liberale në një formë të “democratic backsliding”-ut, të tipit konfliktual dhe të një demokracie polarizuese, që ka për objektiv personalizimin dhe koncentrimin e pushtetit ekzekutiv në duart e një personi të vetëm, ashtu siç po vepron aktualisht Donald Trump.
Në fakt, nga perspektiva e një sociologu që merret gjerësisht me proceset dhe tendencat e globalizimit, ajo çka po ndodh aktualisht në Amerikë nuk ka të bëjë decidivisht me ndonjë “vdekje klinike” të demokracisë si ideologji, si koncept, si sistem apo si vlerë e dëshmuar ndër shekuj, por më shumë me një sprovë apo një lloj testimi historik, të cilit ajo po i nënshtrohet përballë sfidave dhe presioneve të reja politike globale. (A2 Televizion)