Boçi: Reforma Zgjedhore nuk ka vlerë pa zgjedhjet e parakohshme

Nga A2 CNN
24 Janar 2020, 14:24 | Politikë
Boçi: Reforma Zgjedhore nuk ka vlerë pa zgjedhjet e parakohshme

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se “Reforma Zgjedhore nuk vlen pa produktin fundor të saj, që janë zgjedhjet e parakohshme”.

“Ishte e domosdoshme të kalonte nëpërmjet një reforme dhe kushtit të Bundestagut. Ne jemi të bindur që kjo gjë kalon me reformë, të kërkuar në bazë të kushteve të vendosura nga PD-ja dhe propozimeve tona. Kjo gjë është rruga që të çon në zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Boçi.

Sipas tij, “Rama e përdor zotin Gjiknuri për një lojë nervash, në mënyrë që opozita të mos ulej në tryezë dhe pastaj ta përdorte këtë si argument ndërkombëtar për të shtyrë qëndrimin e tij në qeverisje”.

“Ishte një modalitet i vendosur nga Rama, ne nuk kemi rënë dakord që Gjiknuri të jetë në atë tavolinë. Nuk do të kishte diferencë nëse Gjiknuri do të zëvendësohej nga Balla apo Spiropali, të gjithë kanë futur duart në zgjedhje”, theksoi Boçi.

Ai nënvizoi gjithashtu se sistemi “nuk është thembra e Akilit të Reformës Zgjedhore”, edhe pse shtoi se Partia Demokratike është “e hapur për çdo sistem”.

Në lidhje me rastet e kryebashkiakëve socialist që kanë pasur probleme me dekriminalizimin, Boçi tha: “Ligji për dekriminalizimin kërkon që bashkëpunimi i institucioneve të jetë më i mirë dhe partitë të kenë akses të lehtë për të marrë informacione për kandidatët e tyre. Duhet vullnet politik i partisë, jo vetëm i kryetarit. Këto filtra kanë vepruar mirë në PD, por mund të shtohen edhe filtra të tjerë institucionalë që mund të sigurojnë informacione për të furnizuar partitë politike”, tha Boçi.

Në fund, ish-deputeti demokrat foli edhe për protestën e studentëve: “Pakti për univeristetin ishte mashtrim dhe tallje me studentët. Kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar. Situata është komplekse në tërësinë e kërkesave, të rinjtë janë para dilemës për të ikur apo jo nga vendi. Pakti nuk zgjidh marrëdhënien e të rinjve me qeverisjen aktuale. Edhe nëse do të ishin plotësuar disa pika të Paktit, kjo nuk do të mjaftonte”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos