Bojkoti i kampionatit, reagon FIFA dhe UEFA

Nga A2 CNN
5 Tetor 2020, 18:42 | Futboll
Bojkoti i kampionatit, reagon FIFA dhe UEFA

Me bojkotin e futbollit shqiptar, prej 12 shtatorit, duke bërë që të humben pesë javët e para të kampionatit, reagojnë FIFA dhe UEFA.

Në letrën e dërguar për sekretarin e Federatës së Futbollit, dy institucionet më të rëndësishme inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirës, por i kanë bërë thirrje palëve të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe federatën, që të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve në mënyrë që sezoni të nisë pa shtyrje të mëtejshme”, shkruhet në letrën e FIFA-s dhe UEFA-s, ku theksohej mbështetja absolute për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Më poshtë, letra e plotë që FIFA dhe UEFA i kanë dërguar FSHF-së:

“I dashur Sekretar i Përgjithshëm,
Jemi vënë në dijeni të letrës suaj të datës 21 shtator 2020 në lidhje me situatën e Kategorisë Superiore në Shqipëri dhe vendimin për të bojkotuar nisjen e sezonit 2020/21.
Ne e kuptojmë se ky vendim, i cili mbështetet nga FSHF, vjen si pasojë e refuzimit aktual të Qeverisë shqiptare për të miratuar një sërë reformash kryesore në kuadrin ligjor, që prek klubet e futbollit profesionist në vendin tuaj.
Siç e dini, FIFA dhe UEFA në përgjithësi inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirëse, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Rëndësia e ruajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë dhe konstruktive të punës midis organeve të futbollit dhe autoriteteve qeveritare (në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse) nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Kjo vlen veçanërisht për sfidat e pashembullta që ka përjetuar futbolli si rezultat i ndikimeve të COVID-19. Këto sfida kërkuan - dhe vazhdojnë të kërkojnë - një nivel të jashtëzakonshëm bashkëpunimi.
FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë pa shtyrje të mëtejshme. Në këto kohë të vështira, fuqia e futbollit për të sjellë gëzim, frymëzim dhe shpresë për njerëzit duhet të mbështetet plotësisht.
Së fundmi, ne e shfrytëzojmë këtë mundësi për t'i dhënë një vlerësim të veçantë sukseseve të fundit të FSHF-së në fusha shumë të rëndësishme si zhvillimi i futbollit të fëmijëve, infrastruktura, futbolli i femrave, zhvillimi teknik dhe menaxhimit të mirë.
Ne shpresojmë të punojmë ngushtësisht me ju për të mbështetur edhe më tej zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Ju mund të mbështeteni në mbështetjen tonë absolute për përpjekjet tuaja.
Ne qëndrojmë në dispozicionin tuaj të plotë nëse keni nevojë për ndonjë ndihmë të mëtejshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos