
Pavarësisht qëndrimeve të pedagogëve, qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për të mos i rritur pagat në nivelin 50% në dy vite, siç kërkojnë pedagogët. Nga Gjirokastra, ku po vijon takimet në nivel lokal, kryeministri Rama lëshoi akuza se pedagogët që dalin në protestë janë të ndikuar nga opozita e rublave.
“Për ata që thonë se këtu gjërat, që s’kanë kujtesë ose s’duan të kujtohen ose dëgjojnë rublat. Rubla –çorbën siç ka qenë Ribla-çorba, një grup muzikor, rubla çorbën që thotë Shqipëria në rrezik, dhe ata pedagogë, sindikatë me demek, me një të SHIK-ut në krye, që kërkojnë prapë rritje page, në kushtet sot kur jo vetëm sot i është rritur paga, por i është rritur më shumë se sa të tjerëve, sepse një pjesë ia ka rritur qeveria, një pjesë ia rrit ajo autonomia që autonominë shumëkush prej tyre e kujtojnë që është vetëm liri, jo përgjegjësi. Jo, autonomia është në radhë të parë përgjegjësi dhe ata që dalin atje, ta harrojnë se do kenë një rritje tjetër, sepse rritjen tjetër menjëherë do ta kenë zjarrfikësit, rritjen tjetër do ta përgatisim për pensionistët, rritjen tjetër do ta bëjmë për mësuesit, do ta bëjmë për infermierët, do ta bëjmë për mjekët, rritjen tjetër do ta bëjmë për policët, rritjen tjetër do ta bëjmë për ushtarakët. Kurse për ata, mesazhi im është shumë i thjeshtë; nuk jeni as si pensionistët, nuk jeni as si ushtarakët, nuk jeni as si punonjësit e policisë, nuk jeni as si mësuesit, nuk jeni as si mjekët, as si infermierët që marrin një gjë fikse, jeni me autonomi. Pra, një pjesë do ta merrni nga qeveria dhe një pjesë tjetër do ta nxirrni vetë”, deklaroi Rama. (A2 Televizion)