Mediu në Shkodër: E djathta nuk mund të jetë një grumbullim njerëzisht të cilët rrotullohen thjesht dhe vetëm rreth asaj që u thotë i pari i partisë

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 09:37 | Politikë
Mediu në Shkodër: E djathta nuk mund të jetë një

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se detyra kryesore e opozitës sot është të bashkohet kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, teksa zgjedhjet vendore të vitit 2023 afrohen gjithmonë e më shumë.

Në një takim në Shkodër, Mediu tha se e vetmja gjë që mund ta ringjallë të djathtën në Shqipëri është hapja e garës brenda vetes së vet. “Kush është i zoti të konkurrojë dhe të fitojë besimin e qytetarëve në këshillin lokal apo në parlament, duhet të përfaqësojë njerëzit në nivel të këshillit bashkiak apo në kuvend. Duhet të heqim dorë njëherë e përgjithmonë nga fakti i emërimit. Ne kemi provuar pikërisht këtu në Shkodër, si PR, kur kemi zhvilluar një garë të drejtë se PR ka pasur rezultatet më të mira. E kemi provuar në nivel kombëtar, nuk kemi pasur asnjë problem, asnjë përplasje, dhe kemi arritur rezultatin më të mirë jo vetëm për veten, por kemi kontribuar edhe për aleatët tanë, në veçanti për Partinë Demokratike. E djathta nuk mund të jetë një grumbullim njerëzisht të cilët rrotullohen thjesht dhe vetëm rreth asaj që u thotë i pari i partisë”, u shpreh Mediu.

Kryetari i PD tha se “ka ardhur kohë që Sali Berisha, Fatmir Mediu, Ilir Meta, Dashamir Shehi, kushdo që të jetë, duhet të thonë “detyra jonë është kjo, të largojmë këtë qeverisje të korruptuar të Edi Ramës”. Por qeverisja e nesërme e Shqipërisë nuk ka nevojë vetëm për Sali Berishën apo për ne të tjerët. Ka nevojë shumë më tepër për njerëz të kualifikuar, i integritet dhe dinjitet që jetojnë sot në Kanada, Amerikë, Britani e Europë. E djathta duhet të bashkojë shqiptarët kudo që janë”.

Sipas tij, zgjedhjet lokale janë rruga që do të bashkojë shqiptarët. “Nuk ka zgjidhje tjetër, ne duhet të kemi vetëm një kandidat për kryetar bashkie. Dhe si do ta bëjmë këtë? Duhet ta zgjedhë PD? Apo t’i kërkojë një copë PR? Apo duhet të marrë një pjesë LSI, apo ndonjë parti tjetër. Duhet një kandidat i mirëpranuar nga të gjithë qytetarët si kandidati më i mirë”, shtoi Mediu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos