
Një penallti e padhënë kundër Juventusit duket se i ka kushtuar rëndë, jo vetëm Bolonjës, e cila humbi dy pikë, por edhe arbitrit të ndeshjes, Marco di Bello.
Gabimi i kryesorit në fushën e lojës, është vijuar më pas edhe nga salla e VAR, ku ishte Francesco Furno. Ky i fundit duhej të kishte evidentuar gabimin e kryesorit, por nuk e ftoi këtë të fundit që të rishikonte pamjet në monitor.
“Penalltia që nuk u dha për Bolonjën dje për faullin e juventinit Iling ndaj Ndoje është një gabim i dukshëm, fillimisht i gjyqtarit dhe më pas të dy njerëzve në sallën e VAR-it. Gabimi është i qartë”, kishin theksuar sot për “ANSA” burime pranë Komisionit të Gjyqtarëve në Itali.
Tashmë ka ardhur edhe vendimi, me Di Belo dhe Furno të cilët janë të pezulluar si fillim për këtë javë, në pritje të masave të tjera që mund të zgjatin periudhën e tyre larg fushave të lojës, pas polemikave që shpërthyen që në javën e dytë të Serisë A. (A2 Televizion)