Derbi i kryeqytetit, Dinamo-Tirana, është fituar me rezultatin 2-3 nga bardheblutë pas një takimi spektakolar të zhvilluar këtë të diel në “Elbasan Arena”.
Edhe pse sapo janë ngjitur në Kategorinë Superiore, por me një projekt të ri e me një trajner si Luigi Di Biagio, Dinamo City ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, por në fund Tirana ka triumfuar duke u ndihmuar edhe nga eksperienca e lojtarëve.
Kacorri realizoi në minutën e 24 për Dinamon, ndërsa Ardit Hila barazoi rezultatin me një goditje të bukur nga brenda zonës vetëm 6 minuta më pas. Në minutën e 59, Dinamo fitoi një 11-metërsh dhe braziliani Denisson, një prej më të mirëve në fushën e lojës, e ktheu në gol.
Në minutën e 74 ishte radha e Tiranës të realizonte nga pika e penalltisë dhe këtë e bëri Latifi. Ndërkohë, goli i fitores u realizua nga Hasani në shtesë, po ashtu me 11-metërsh.
Pas ndeshjes, Orges Shehi, trajneri i Tiranës, u shpreh i lumtur për fitoren, ndërsa vlerësoi edhe ardhjen në Shqipëri të Luigi Di Biagio-s.
“Është shumë e rëndësishme që kampionatin ta nisësh me fitore. Kundërshtari kishte shumë dëshirë. Emra të tillë si Di Biagio e rrisin vlerën e kampionatit italian. Unë i urova suksese me Dinamon, por pas kësaj ndeshjeje”, tha me shaka Orges Shehi.
Ndërkohë, trajneri italian i Dinamos u shpreh se përveç rezultatit, është shumë i kënaqur me këtë ndeshje të parë.
“Kemi bërë një ndeshje të mirë. Djemtë kanë luajtur mirë, megjithatë kemi shumë gjëra për të përmirësuar, por ishte vetëm ndeshja e parë. Kemi luajtur ndaj një skuadre që ndau vendin e parë me Partizanin vitin e kaluar. Pavarësisht rezultatit, jam i kënaqur nga kjo ndeshje”, tha italiani.
Javën e ardhshme, Dinamo do të udhëtojë në Korçë, ndërsa Tirana në Durrës. (A2 Televizion)




