Bombardimet ruse dhe qeveritare, viktima dhe të plagosur në Siri

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 13:30 | Bota
Bombardimet ruse dhe qeveritare, viktima dhe të plagosur në Siri

Bombardimet ajrore të forcave ruse dhe ushtrisë qeveritare në Siri po detyrojnë banorë të shumtë të zhvendosen. Mbi 11 mijë civilë kanë lënë shtëpitë e tyre në qytetin Idlib dhe janë në arrati. Ndërsa bilanci i viktimave është tepër i rëndë. Të paktën 17 persona të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Kjo është bërë e ditur nga dëshmitarë në terren që janë në kontakt të vazhdueshëm me zyrën e Kombeve të Bashkuara për koordinimin e ndihmës humanitare.

Sirianët që kanë braktisur shtëpitë e tyre janë drejtuar për në lagjet e tjera të Idlibit, jashtë zonave të kontrolluara nga rebelët ose drejt kufirit me Turqinë, që mbetet i mbyllur për civilët në arrati. Pjesa më e madhe e qytetarëve në arrati është pa një çati mbi kokë dhe ekspozohet kushteve të këqija të motit ose gjejnë strehim në kampet e ngritura për refugjatët.

Që prej të hënës vazhdojnë bombardimet e artilerisë nga ana e qeverisë siriane dhe forcave ruse, aleate të Damaskut, kundër rajonit të Idlibit që kontrollohet në pjesën më të madhe nga rebelët dhe militantët anti-regjimit të Bashar Al Assad. OKB ka bërë me dije se në këtë qytet mbeten rreth 3 milionë civilë në nevojë urgjente për ndihmë humanitare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos