Von der Leyen: Londra humb më shumë se ne, nëse s’ka ujdi tregtare

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 13:18 | Bota
Von der Leyen: Londra humb më shumë se ne, nëse s’ka ujdi

Britania e Madhe do të humbasë më shumë se sa Bashkimi Europian, nëse dy palët do të dështojnë në arritjen e një marrëveshje të re tregtare deri në fund të vitit 2020. Kështu u shpreh presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian në Strazburg. 

“Nëse nuk do të arrijmë të mbyllim një marrëveshje me Londrën deri në fund të vitit 2020, do të gjendemi përballë një situate shumë të rrezikshme, e cila do të dëmtojë më shumë Britaninë e Madhe se sa Bashkimin Europian”, tha Von der Leyen.

Londra vendosi një afat jofleksibël deri në dhjetor të 2020-s, për arritjen e një ujdie të re tregtare me Bashkimin Europian, me qëllimin për të nxitur Brukselin të veprojë shpejt për nënshkrimin e marrëveshjes.

Von Der Leyen falënderoi ligjvënësit britanikë të kampit pro qëndrimit në BE, duke shtuar se parlamentit nuk do t’i mungojnë deputetët e partisë Brexit, të cilët siç tha janë mësuar të bërtasin.

Britania e Madhe pritet të shkëputet nga Bashkimi Europian më 31 janar, pasi fitorja në zgjedhjet e 12 dhjetorit i dha Boris Johnson për të marrë frerët e procesit të Brexit. Periudha e tranzicionit do të zgjasë deri në dhjetor të 2020-s.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos