
Pas njoftimit të marrë nga dy subjekte shpendrritëse në Durrës, se ka pasur probleme me disa shpendë, Sektori i Shërbimit Veterinar në këtë qark, ka marrë masat për gjurmimin, kampionimin zyrtar dhe vendosjen në karantinë deri në daljen e rezultateve laboratorike.
Deri më tani, raportohen rreth 200 mijë shpendë të ngordhur. Janë kryer pranë ISUV analizat në bazë të mostrave të marra. Sipas të dhënave të deritanishme, rezultatet tregojnë sëmundjen e Laringotrakeitit infektiv në shpendë. Është një sëmundje që prek kryesisht shpendët. Laringotrakeiti infektiv nuk është një sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
“Është e rëndësishme të theksojmë dhe të sigurojmë konsumatorët se deri më tani, nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influence aviare (gripi i shpendëve)”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në subjektet e tjera shpendrritëse për vezë e mish, në të gjithë territorin e vendit, AKVMB ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes. (A2 Televizion)