Bordi i Transparencës, Ministrja e Financave: Do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Nga A2 CNN
13 Mars 2023, 13:53 | Politikë
Bordi i Transparencës, Ministrja e Financave: Do të presim vendimin e

Qeveria do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi të ardhmen e Bordit të Transparencës për Karburantet.

“Është duke u diskutuar në Gjykatën Kushtetuese. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të vijojmë të veprojmë”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë. “Megjithatë i qëndroj asaj që kam përsëritur: Ndërhyrja e qeverisë ishte e detyruar nga kushtet që ne ndodheshim. Shifrat tregojnë se ndërhyrja jonë ka qenë efektive në reduktimin e marzhit të fitimit të kompanive”.

Ibrahimaj shtoi se në muajin prill do të njoftohet edhe mbi mbështetjen financiare të kategorive në nevojë, që do të realizohet nga arkëtimi i taksës së jashtëzakonshme.

Çmimet e karburanteve në vend

Nafta, 193 lekë/litri me pakicë, 181 lekë/litri me shumicë

Benzina: 190 lekë/litri me pakicë, 178 lekë/litri me shumicë

Gazi: 80 lekë/litri me pakicë, 68 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 99 lekë/litër.

Bordi i Transparencës, 08/03/2023

Dy javë pas rrëzimit të Bordit të Ushqimeve, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim edhe kërkesën të tjetër të 29 deputetëve të Partisë Demokratike për të shfuqizuar Bordin e Karburanteve. Përfaqësuesi ligjor në seancë i grupimit të deputetëve të opozitës, Marash Logu, argumentoi para trupës gjykuese se kushtet, argumentet dhe baza ligjore me të cilën u miratuan aktet normative me fuqinë e ligjit marsin e vitit të shkuar për ngritjen e Bordit, përveç se janë antikushtetuese, cenojnë konkurrencën në treg.

“Paraqitëm qartësisht se është në cenim të të drejtës kushtetuese. Është një cenim të thellë të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, me çmimet abuzimeve për qytetarët. Një bord publik privat. I jashtëzakonshëm i pa parë në asnjë vendimmarrje të vendeve të tjera. Bëhen edhe pjesë e bordit të qeverisë. Çmimet e karburantit kanë qenë të jashtëzakonshme më të larta në 30 vite. Në dëm të interesave të qytetarëve. Ky projektligj duhet të shfuqizohet.”

Përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, argumentuan në seancë se ngritja e Bordit të Karburanteve erdhi si nevojë e diktuar nga lufta në Ukrainë dhe se në mungesë të tij, çmimet mund të ishin shumëfish më të shtrenjta.

Në mungesë të përfaqësuesve nga Kuvendi, anëtarët e “Kushtetueses” pas serive të pyetjeve kërkuan nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe institucioneve informacione shtesë për t’i shqyrtuar deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Më 22 shkurt, trupa e Gjykatës kushtetuese vlerësoi si të papajtueshëm me ligjet e vendit ngritjen e Bordit për Caktimin e Disa Kategori Ushqimesh duke vendosur shkrirjen e tij. Në përpjekje për të ndërtuar një paralele me vendimin e mëhershëm, përfaqësuesit e grupit të deputetëve demokratë deklaruan pritshmëri për vendimmarrje të ngjashme edhe për Bordin e Karburanteve të ngritur më 12 mars të vitit të shkuar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/09/cenon-ligjet-dhe-konkurrencen-kushtetuesja-shqyrton-kerkesen-per-shfuqizimin-e-bordit-te-karburanteve/
https://a2news.com/2023/02/22/gjykata-kushtetuese-rrezon-bordin-e-transparences-per-ushqimet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos