Borxh rekord në valutë, qeveria do të marrë 120 milionë euro në tregun e brendshëm

Nga A2 CNN
3 Prill 2020, 13:36 | Ekonomi
Borxh rekord në valutë, qeveria do të marrë 120 milionë

Qeveria do të marrë borxh në tregun e brendshëm 120 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka njoftuar se në ankandin e radhës do të emetojë një obligacion me vlerë 120 milionë euro, me afat maturimi 2-vjeçar.

Ankandi është parashikuar që të mbahet në datën 6 prill dhe ka një kupon indikativ prej 1,8%. Nëpërmjet këtij ankandi, qeveria po synon të marrë borxh në euro nga qytetarët dhe institucionet financiare. Ankandi është jashtë radhës dhe shuma e kërkuar është një rekord sa i përket obligacioneve në euro.

Kjo është hera e shtatë që Banka e Shqipërisë emeton një obligacion në euro. Në të gjashtë obligacionet e mëparshme në valutë, shuma e shpallur ka variuar mes 25 dhe 50 milionë euro, duke e bërë ankandin e të hënës më të madhin në histori, sa i përket obligacioneve të emetuar në euro. Qeveria nuk ka bërë ende të ditur se ku do ta përdorë këtë borxh të ri, por qartazi duken vështirësitë e mëdha që po kalon buxheti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos