Efekti i koronavirusit, bie çmimi i karburanteve

Nga A2 CNN
2 Prill 2020, 15:48 | Ekonomi
Efekti i koronavirusit, bie çmimi i karburanteve

Emergjenca shëndetësore me koronavirusin ka ndikuar tregjet në Shqipëri, ashtu si edhe në pjesën tjetër të globit. Çmimi i karburanteve ka pësuar rënie të fortë në dy javët e fundit, me rreth 15 lekë për litër. Shkak është bërë tkurrja e çmimit të arit të zi në bursa, që ka zbritur aktualisht në 280 dollarë për ton. Por nga ana tjetër, kufizimi i lëvizjeve ka ulur me rreth 85% shitjet e karburanteve në tregun e brendshëm.

Brenda dy javëve të fundit, çmimet e karburanteve në vendin tonë janë ulur ndjeshëm me rreth 15 lekë për litër. Reduktimi i çmimeve në bursat ndërkombëtare vlerësohet si arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Aktualisht, në tregjet financiare nafta shitet me 280 dollarë për ton, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ka qenë rreth 580 dollarë për ton.

Nga një vëzhgim në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve në kryeqytet rezulton se nafta shitet me 155-163 lekë për litër, ndërsa benzina me 164 lekë për litër. Një tjetër element që është konstatuar javët e fundit në tregun e brendshëm është tkurrja e fortë e kërkesës, që vjen si rezultat i kufizimit të lëvizjeve nga situata me koronavirusin.

Burime nga Shoqata e Hidrokarbureve bëjnë të ditur për A2 se shitjet e karburanteve në tregun tonë kanë rënë me rreth 80%. Po të njëjta burime saktësojnë se nuk pritet të ketë ulje të mëtejshme të çmimit. Kjo për shkak të peshës së madhe që zënë taksat në çmimin fundor. Shoqata sqaron se në kushte normale, taksat zënë rreth 70% të çmimit të naftës. Sot që çmimi ka rënë në bursë, 90% e çmimit shkojnë për taksa. Ka ulje të lehtë të TVSH-së, për shkak të rënies të çmimit në bursë, por edhe kjo ndikohet nga rritja e lartë e dollarit, kurse pjesa tjetër e kostos të taksave mbetet e pandryshuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos