Botërori i Klubeve me 24 skuadra? Europianët kërcënojnë me bojkot

Nga A2 CNN
15 Mars 2019, 22:20 | Futboll
Botërori i Klubeve me 24 skuadra? Europianët kërcënojnë

Dy organizatat më të fuqishme në botën e futbollit, FIFA dhe UEFA, po shkojnë drejt një përplasje të madhe, pas zyrtarizimit të planeve nga ana e të parës për të zgjeruar Botërorin e Klubeve në një turne me 24 skuadra duke filluar nga qershori i vitit 2021.

FIFA miratoi formatin e ri të turneut këtë të premte pavarësisht se klubet europiane kanë thënë se do ta bojkotonin atë. Në kompeticionin e ri mendohet të luajnë tetë klube nga kontinenti i vjetër. Turneu i ri do të organizohet çdo katër vjet dhe do të zhvillohet në periudhën qershor – korrik, që momentalisht është e zënë nga një tjetër turne i FIFA-s, Kupa e Konfederatave, gjithmonë në program një vit para Botërorit.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se ishte tej mase i lumtur pasi Këshilli miratoi planin e tij, sepse në këtë mënyrë tifozët do të shinin vërtet një Botëror ku klubi më i mirë do të shpallej kampion bote.

Në formatin aktual, marrin pjesë 7 skuadra nga 6 konfederata, por turneu është thuajse i injoruar totalisht nga tifozët e klubeve europiane. I nisur si Kupa Interkontinentale, ku luanin skuadra kampione e Europës kundër kampiones së Amerikës së Jugut, fillimisht me ndeshje vajtje-ardhje, Botërori i Klubeve organizohet kryesisht në Japoni ose vende të tjera të Azisë.

Por edhe pse ka pasur zëra se klubet pjesëmarrës mund të fitojnë mbi 60 milionë euro, anëtarët e Shoqatës së Klubeve Europiane kanë thënë se kompeticioni i ri mund të organizohet pas vitit 2024. Për këtë, shoqata i ka dërguar edhe një letër presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin – të publikuar në mediat ndërkombëtare – ku deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në këtë turne. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos