Bozdo: Ajo që ndodh me fasonët, pasqyrë e përqasjes së qeverisë me Covid-19

Nga A2 CNN
1 Maj 2020, 14:17 | Politikë
Bozdo: Ajo që ndodh me fasonët, pasqyrë e përqasjes së

Enno Bozdo, anëtar i Kryesisë i Partisë Demokratike, deklaroi për “Ditari” në A2, se ajo që po ndodh me fasonët në këtë periudhë pandemie “është pasqyrë e përqasjes së qeverisë me pandeminë”.

“Fasonët duhet të ishin ndërmarrjet e para të mbyllura. Por, qeveria nuk e dëgjoi këtë propozim të PD-së dhe u tall me këtë alarm. Qeveria po sillet në mënyrë të turbullt, të paqartë dhe pa transparencë. Nuk mund të vendoset protokolli i kuq pa biseduar më parë me përfaqësuesit e sektorit. Nuk ka bërë asnjë dëgjesë me shoqatat e biznesit. Kjo është të tallesh me kompanitë e fasonit”, tha Bozdo.

Sipas Bozdos, “kryeministri po luan rolin e kryepolicit”.

“Thotë nga shtëpia se kur duhet të dalim, sa herë të lajmë duart etj. Nga ana tjetër, ndihma reale për ekonominë është 0 pas 6 javësh pandemi”, theksoi Bozdo.

Duke e krahasuar me vendet e rajonit, Bozdo u shpreh: “Kosova ka dhënë dy herë më shumë se Shqipëria për bizneset, ndërsa Maqedonia ka dhënë 3 herë më shumë. E kanë mbajtur ekonominë e tyre me likuiditet që të jenë gati për kthimin kur të rinisë jeta normalisht. Në 3 javët e para, bota thoshte se ekonomia duhet “bombarduar” me likuiditet. Pas 6 javësh, duket se Rama nuk ka ndërmend të prekë të ardhurat e miqve të tij. Nuk e di pse e bën këtë gjë, por di të them që kjo është kriminale”.

“Jemi në situatë absurde, ngado që ta kapësh nuk të jep shpresë”, nënvizoi Bozdo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos